Ana e errët

Ngacmim seksual në tualetin e restorantit në Kombinat aty ku s’ka kamera dhe as dëshmitarë?!

65 vjeçarja amerikane: Kamarieri më puthi/ I riu : Unë nuk ngacmoj plaka

Ngacmimi seksual në Shqipëri është një nga veprat më pak të denoncuara . Por jo për një amerikane të moshës 65 vjeçare , që u ka kërkuar miqve të njoftojnë policinë mbasi dikush kishte kaluar vijën e kuqe.

Sipas policisë në zonën e ish Kombinati ai që e teproi dhe e ngacmoi është kamarier, 29 vjeçar nga kryeqyteti shqiptar i cili sa herë i shërbente ushqimin e pyeste nëse ishte e kënaqur dhe nëse kishte nevoja të tjera. Deri sa një moment kur e moshuara ishte në tualet i zgjati duart duke e prekur në krahë dhe në gjoks.

Kamarieri u arrestua për ngacmim seksual, ndonëse këmbëngul se ndaj gruas “tregoi vetëm  dashamirësi dhe kujdes, por as që e kishte synuar seksualisht”

I riu i tha policisë, tregojnë burime për gazetën “Si” se gruaja ishte në moshë të madhe dhe nuk ishte në shijet e tij dhe se për me tepër ajo ishte kliente në restorant dhe ai bisedoi me të për shkak të detyrës si kamarier.

Të kundërtën insiston 65 vjeçarja, version e të cilës policia e Kombinatit e besoi ndaj preu fletë arresti ndaj kamarierit. 

Gruaja me inicialet C. B , 65 vjeçe kishte ardhur në Shqipëri si e ftuar nderi në një ceremoni martesore. Dhe në restoratin në fjalë ajo po merrte pjesë në dasëm.

“Isha në këtë lokal si e ftuar në dasmë  dhe isha në tavolinë me miqtë e mi. Gjatë ceremonisë më shërbeu shtetasi N. N.  me të cilin u gjenda në komunikim të shpeshtë duke qenë se ai fliste spanjisht  dhe të njëjtën gjuhë e flas edhe unë. “

Gjithçka sipas 65 vjeçares ka shkuar tamam si në dasëm deri në çastin që i biri rreth orës 3.30 të mesnatës i dha një lajm të hidhur.

“Djali më tha që kishte ndërruar jetë një mikesha ime. Ky ishte një lajm i trishtë  dhe u ngrita nga tavolina dhe në këtë moment u drejtova  drejt shkallëve  ku gjendeshin tualetet e lokalit. Aty po qëndronte kamarieri.”

Ai pyeti në spanjisht se përse ishte e trishtuar?  

“Më kapi nga krahu,  dhe më tërhoqi në brendësi të tualetit të femrave dhe filloi të më puthte në buzë. Më kapi nga shpatullat dhe më preku gjoksin. Unë e kam shtyrë dhe kam dalë me vrap nga lokali”- tregon 65 vjeçarja sipas të cilës e gjitha kjo ndodhi pa dëshirën e saj.

Por kamarieri kundërshton: “Në një moment vura re se shtetasja e lartpërmendur ishte e trishtuar dhe po qëndronte në tavolinë duke qarë. Për këtë arsye kam marrë disa kartpeceta  në dorë dhe i jam afruar  dhe më pas e kam shoqëruar atë sepse më kërkoi ta shoqëroja në tualet. Në asnjë moment nuk e kam ngacmuar seksualisht”

Kamarieri sipas burimeve të policisë numër 6 thotë se gruaja ishte shumë e moshuar për të dhe kjo gjë nuk është në shijet e tij. Nga ana tjetër egzistojnë kamerat e lokalit luksoz që e tregojnë kamarierin teksa e shoqëron 65 vjeçaren në tualet.

Por çfarë ka ndodhur brenda këtyre ambienteve , nuk ka kamera dhe as dëshmitarë, kështu që policia ka zgjedhur të besojë gruan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë