Për herë të pestë në pak kohë, grupet kriminale të lidhura me narkotrafikantët po ekspozohen në tentativat e tyre për të implementuar laboratorë kokaine dhe heroine në Shqipëri.
Rasti më i bujshëm ishte ai i Xibrakës, një dosje kokaine me kolumbianë e trafikantë që u ndoqën me GPS nga Gjermania- por që prokuroria e krimeve të rënda të asaj kohe ja zbuti akuzat dhe nga trafik narkotikësh e mbylli në heshtje hetimin: thjesht në prodhim me mbajtje narkotikësh nga një vepër e rëndë si ajo e trafikut të narkotikëve.
Nëntë persona u shpallën fajtorë por aktualisht shumica e të akuzuarve janë liruar për sjellje të mirë.
E njëjta formulë e futjes së kokainës përmes plehut u zbulua nga një hetim amerikano- shqiptar, që siç bëjnë me dije burime të gazetës “Si” mori shkas nga një tjetër hetim i bashkëlidhur sipas të cilit trafikantët po diskutonin për sipërmarrjen e e transportit të mallit dhe ndërtimin e laboratorit.
Burimet i thanë gazetës “Si” se dy vëllezërit Cervanaku shfaqen dukshëm mjaft akiv për të rregjistruar biznesin në QKB, i cili fillon dhe bëhet aktiv në 19 janar 2022.
Administratori i saj Zenel Cervanaku kishte deklaruar se aktiviteti kryesor shoqërisë do të ishte furnizimi me lule dhe me fruta egzotikë nga importi.
Por njeriu që fshihej pas kësaj sipërmarrjeje dhe që mori garanci se do t’i afrohej shtëpia e familjes Cervanaku, në Frakull të Madhe është lushnjari Nikolin Gjolena.
Se ku u lidhën dhe u puqën pesë anëtarët e familjes Cervanaku, SPAK nuk mundet ende ta thotë. Por teksa Viktor Cervanaku . Zenel Cervanaku, Deanilson Cervanaku dhe Enxhi Ferhati konsiderohen si njerëzit që vunë në dispozicion infrastrukturën, Nikolin Gjolena, biznesmen, shikohet si njeriu që ofroi para dhe financoi gjithçka.
I dyshuari hapi kuletën prej fillimit të planeve me kokainë, madje vlerësohet si personi që pagoi po ashtu të rinjtë Julian Malaj , Redion Meshi, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona për të patur rolin e “ krahut të armatosur”.
“Njëri prej tyre Klajdi Vrioni më herët i dyshuar për plagosje rezulton se doli paq nga hetimi për një çështje tjetër pranë prokurorisë së kryeqytetit, një dosje për të cilën procedimi u mbyll në heshtje nga një prokuror”- tha një burim shumë i sigurtë i gazetës “Si”.
Kjo çështje mbetet ende nën verifikim nga SPAK dhe është veçuar për të konfirmuar nëse ka apo jo korrupsion dhe veprime të dyshimta të prokurorëve të kryeqytetit.
Por ajo që shprehin me siguri burimet e gazetës “Si” është se bëhet fjalë për përgjime të konsiderueshme disa mujore, në të cilat shfaqen persona të shumtë, ende nën hetim. Dhjetë të arrestuarit për trafik ndërkombëtar kokaine kanë mbyllur gojën përpara gjyqtares gjatë seancës me dyer të mbyllura të mbajtur në Tiranë.
Ndërkohë që prokurori i çështjes Adnan Xholi siç thanë burime të besueshme ka lexuar në mënyrë të përmbledhur provat që e çuan atë dhe grupin e hetimit drejt 11 të dyshuarve mes të cilëve edhe një kolumbian me inicialet Z. R.
Ky i fundit po vijon të kërkohet në Shqipëri, mbasi rezulton se hyri gjatë muajit shtator, në të njëjtën kohë me ngarkesat prej 20 tonë pleh organik brenda të cilit ishte njëtrajtësuar kokaina që duhej të përpunohej në shtëpine e familjes Cervanaku.
Kolumbianë dhe shqiptarë
Që prej 2001, kur u zbulua rasti i parë hetimit ndërkombëtar të pagëzuar si dosja “Kokaina”, është vënë re shkëmbimi i trafikantëve në të dyja vendet.
Policia dhe agjensitë e huaja të përfshira në hetime vlerësojnë se shumë shtetas shqiptarë kanë udhëtuar dhe kanë nisur një jetë të re që quhet “ jeta e kontaktit”, në Kolumbi dhe Ekuador. E njëjta skemë është përdorur edhe për laboratorin e fundit prej nga ku do të përftoheshin mbi 400 kilogramë kokainë.
Burime shumë të besueshme i thanë gazetës “Si” se janë identifikuar disa shtetas shqiptarë të vendosur në Kolumbi. Por sakaq dërgimi i kolumbianëve drejt Shqipërisë tanimë është një “traditë”.
Cezar Avila dhe Valther Moreno , ishin dy ekspertët kolumbianë të laboratorit të Xibrakës të dënuar , ata po kryenin procesin kimik të nxjerrjes së kokainës në periferi të Elbasanit. Një tjetër kolumbian Agust Triana , i cili deklaroi se jetonte në Spanjë u dorëzua në areoportin e Rinasit së bashku me rrëfimin se kishte frikë se do ta vrisnin. Edhe procesi ndaj tij i mbajtur sekret , mbeti plot me dritë hije që nuk u zbardhën nga krimet e rënda sikur edhe dosja e Xibrakës, që u mbyll me akuza të lehta dhe që kurrë nuk dërgoi në pranga personazhin me nofkët Elefanti.
Historia tjetër e laboratorit ishte ajo e Fushë Kuqes, me shef të saj Gëzim Çela. Nga Shqipëria u dërgua për të marrë kokainë të mirë në laboratorin e Kosovës një kimiste shqiptaro amerikane, por i dyshuari si organizator nuk u arrestua asnjëherë dhe vijon të jetë në kërkim.
Edhe për laboratorin e Brenogës, autoritetet nuk e kanë prangosur ende të kërkuarin kryesor Admir Hoxha , të cilit i janë bllokuar pasuritë me vendim gjykate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.