Ngjarje

Nga vrasja e Mateos në Fier te ngacmimet dhe abuzimet seksuale, çfarë ndodhi këtë javë

Java që po mbyllet, ka qenë një nga më të zezat pas vrasjes barbare të vogëlushit 8-vjeçar Mateo Vasiu në fshatin Greçalli të Fierit.

I mituri është vrarë nga fqinji i tij Klodian Çalamani, 38 vjeç, i cili më pas e groposi në oborrin e shtëpisë së tij për të humbur gjurmët.

Ngjarja u zbulua mbrëmjen  e 16 nëntorit dhe policia arrestoi vrasësin, që njihej në zonë si një njeri problematik, i dehur dhe i braktisur nga familja.

Për të u dha masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, ndërsa familjarët e Mateos tentuan të hynin në Gjykatën e Fierit para seancës për të kërkuar dënimin me vdekje.

Çalamani u transferua në Vlorë për siguri, por edhe të dielën 21 nëntor, familjarët e vogëlushit u përplasën me policinë në godinën e paraburgimit ku kërkonin drejtësi.

Në 17 nëntor, njëri nga autorët e dyshuar të vrasjes së 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj, ngjarje e ndodhur më 13 qershor 2021, është arrestuar në Tiranë.

Ai është Kristi Bixheku, 26 vjeç nga Lushnja, i cili dyshohet se para pesë muajsh, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë Xhaferrajn dhe më pas trupin e pajetë të tij e kanë hedhur në rezervuarin e Gjançit në Korçë.

Në 18 nëntor, 8 persona janë arrestuar në Shkodër dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim, pasi akuzohen se kishin krijuar një skemë mashtrimi me ‘call center’-at.

Policia tha se arrestimet janë kryer pas denoncimeve nga shtetas të huaj, se ishin mashtruar përmes platformave të ndryshe online nga ky ‘call center’.

Të ndaluarit ishin kryesisht vajza, si menaxhere dhe punonjëse të kësaj kompanie, dhe dyshohet se mashtronin qytetarët e shteteve të Bashkimit Europian, sidomos gjermanë e spanjollë, duke iu premtuar se do të investonin në “Forex”, kriptomonedha apo në bursa.

Në kërkim u shpall drejtuesi i kësaj kompanie, një shtetas polak dhe partnerja e tij. Ndërkohë, një ditë më pas, gjykata liroi të ndaluarit, duke vendosur masën e sigurisë detyrim me paraqitje.

Në 19 nëntor, një 54-vjeçar në Vlorë është arrestuar nga policia pas denoncimit të mbesës së tij të mitur me dyshimin për ngacmim seksual.

Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A.D., 54 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht mbesën e tij 11-vjeçare.

Ndërkohë, edhe një 34-vjeçar nga Tepelena është ndaluar nga policia, pasi dyshohet se ka ngacmuar një vajzë minorene. I arrestuari me iniciale E.G. u ndalua nga blutë e Gjirokastrës pasi dyshohet që të ketë ngacmuar një 17-vjeçare.

Në po të njëjtën ditë, dy burra të moshës 62 dhe 63 vjeç u arrestuan, pasi kanë abuzuar seksualisht dhe më pas kanë shfrytëzuar për prostitucion një vajzë 13-vjeçare.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Sarandë, ndërsa situata bëhet edhe më skandaloze, ku i përfshirë është edhe një punonjës policie, Petraq Rako 63 vjeç dhe tutori i të miturës, Stefan Koloi, 62 vjeç, banues në fshatin Xarrë, Konispol.

Një ditë më pas, një 58-vjeçar nga Durrësi ka përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dhe ka përndjekur një të mitur.

Një 28-vjeçar nga Erseka, Sherif Mukaj, është shpallur i zhdukur prej disa ditësh pas denoncimit të familjarëve të tij në polici. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Starje të Bashkisë Kolonjë, ku sipas familjarëve të tij, i riu është parë për herë të fundit në datën 1 nëntor.

Në 20 nëntor, një 13-vjeçar humbi jetën pasi ishte vetëvarur me spango në qafë në dhomën e tij në fshatin Golem të Lushnjës. Ai u gjet i pajetë nga prindërit, ku edhe pse u dërgua në spital nuk ka mundur të mbijetojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë