Lajme

Nga u frymëzua Arta Vorpsi për t’u betuar para noterit

Arta Vorpsi duket se është frymëzuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese polake për të ndërmarrë betimin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri përmes një akti noterial. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake është marrë pas krizës institucionale dhe kushtetuese, të ngjashme me krizën aktuale shqiptare, që shpërtheu në Varshavë në vitin 2015.

Në këtë vit, Sejmi, që është dhoma e ulët e Parlamentit polak, zgjodhi pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi u mor vetëm pak javë nga mbajtja e zgjedhjeve të reja, që sondazhet e nxirrnin humbëse partinë e asaj kohe në pushtet, që kontrollonte shumicën në Parlament.

Presidenti Andrzej Duda e cilësoi zgjedhjen e pesë anëtarëve si antikushtetuese dhe refuzoi që të kryejë betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur nga Parlamenti. Përballë kësaj, disa anëtarë të zgjedhur nga Parlamenti vendosën që të kryejnë “betimin” në distancë me noter dhe më pas të marrin detyrën si gjykatës kushtetues.

Në zgjedhjet që u mbajtën, partia në pushtet “Lëvizja Qytetare” humbi shumicën që zotëronte dhe Qeverinë e kontrollin e Parlamentit e mori partia “Ligj dhe Drejtësi”. Përmes disa manovrimeve ligjore dhe të kundërshtuara edhe nga Bashkimi Europian, kjo parti miratoi pesë anëtarë të tjerë për Gjykatën Kushtetuese, duke dubluar anëtarët që kishin marrë më parë detyrën, por që mazhoranca e re nuk i njihte me arsyetimin se nuk kishin kryer betimin para Presidentit.

Pas shumë peripecive dhe ndërhyrjeve edhe nga Brukseli lëmshi kushtetues nisi të zgjidhej në 2017. Çështja u diskutua nga Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimin përfundimtar rrëzoi Presidentin Andrzej Duda.

Sipas këtij vendimi, betimi para Presidentit i anëtarëve të zgjedhur nga Parlamenti është një akt formal dhe ceremonial, të cilin Presidenti vetë nuk ka bazë ligjore që ta pengojë, madje në këtë rast ka cenuar të drejtën që Kushtetuta ja njihte Parlamentit për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ky është thelbi në vija të trasha i vendimit që është dhënë nga Gjykata Kushtetuese polake, por që ka një dallim të madh me rastin “Vorpsi” në Shqipëri. Dallimi kryesor është që Arta Vorpsi nuk u zgjodh si anëtare e Gjykatës Kushtetuese shqiptare nga Kuvendi. Kuvendi mori si të mirëqënë zgjedhjen e saj nga lista që KED i dorëzoi Presidentit.

Dallimi tjetër është se ndryshe nga presidenti polak, Ilir Meta nuk refuzoi që të kryejë betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhura nga Kuvendi, madje pak ditë pas votimit të tyre organizoi ceremoninë e betimit për Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë