Gazeta Si- Me qëllimin e fitimeve të lehta (dhe në mënyrë të shpejtë), ata u nisën nga Shqipëria, duke udhëtuar me mijëra kilometra drejt Livornos për të tërhequr rreth 150 kilogramë kokainë nga një kontejner i sapo zbarkuar në Darsena Toscana.
Por pikërisht në hyrje të zonës doganore të portit, teksa Guardia di Finanza po mbikëqyrte se kush do të vinte për të tërhequr “mallin”, përfunduan në pranga. Dhe brenda pak orësh edhe në burg.
Kështu e pësuan tre korrierët shqiptarë, të cilët për llogari të krimit të organizuar duhej t’i dorëzonin dikujt (nuk është specifikuar ende) sasinë e madhe të drogë me vlerë dhjetëra milionë euro, e ndarë në 139 pako secila me peshë afërsisht 1.1 kilogramë.
Kush janë të arrestuarit?
Të arrestuarit – të mbrojtur nga avokatët Roberto Pellegrini nga Firence dhe Mariachiara Gregoraci nga Roma – janë vëllezërit Ylber dhe Napolon Arshi, 37 dhe 35 vjeç, si dhe 30-vjeçari Goliano Zhupa.
Asnjë prej tyre nuk është rezident në Itali dhe nuk kishte dokumente identiteti, për këtë arsye hetuesit nuk e kishin të lehtë t'i identifikonin.
Kishte vërtet fruta brenda, por edhe kokainë, e cila u zbulua menjëherë pas skanerit të kryer. Tre të arrestuarit zgjodhën të heshtin, pa dhënë asnjë informacion lidhur me përfshirjen e tyre në këtë aferë.
Për momentin ata qëndrojnë në qeli, në paraburgim, në burgun e Sughere-s.
Prokuroria i akuzon për sasinë e madhe të lëndës narkotike, të cilën po fillonin ta hiqnin me çanta nga terminali Darsena Toscana.
Udhëtimi
Ngarkesa e drogës e zbuluar nga policia, ishte nisur nga porti ekuadorian i Guayaquil, Ekuador, i cili ka pamje nga Oqeani Paqësor.
Më pas anija - Cma CGM Exemplarity, e ndërtuar vitin e kaluar për gjigantin francez të transportit detar “Cma CGM”, duke mbajtur flamurin maltez, 272 metra e gjatë dhe 42 metra e gjerë - kaloi Kanalin e Panamasë dhe u drejtua drejt Evropës, duke mbërritur në Portin e Livornos.
Këtu, sapo arriti në kalatë, kontejneri u shkarkua nga punëtorët e dokut të Terminalit Darsena Toscana, i blerë së fundmi nga “Grimaldi Group”, dhe agjentët e Livornos e analizuan atë në bazë të sinjalizimeve të sakta të rrezikut, duke zbuluar në një pjesë të kontejnerit praninë e sasisë së madhe të "pluhurit të bardhë".
Më pas, brenda pak orësh, 3 shqiptarët kanë hyrë në doganë për ta tërhequr atë, por para se të përfundonin detyrën e tyre (duhet të jenë paguar mijëra euro, të paktën kjo është tarifa që u jepet korrierëve në kësi rastesh), policia i arrestoi të tre pa bërë asnjë rezistencë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.