Editorial

Nga Rindërtimi e Vaksinimi te konfirmimi, qeveria më e thjeshtë e Ramës

Kjo ishte qeveria e tretë e Edi Ramës, ndoshta edhe më e thjeshta për të, pavarësisht mandateve në pushtet që shtohen e si të tilla rriten edhe vështirësitë, edhe ekuilibrat që duhen mbajtur në parti, edhe... edhe... edhe gjithçka tjetër.

Nëse 8 vjet më parë Edi Rama duhet të respektonte ekuilibrin e brishtë politik brenda partisë, atë me aleatin LSI, e shumë e shumë të tjerë, ndoshta pa eksperiencën e një udhëheqësi që duhet të provohej në qeverisje, në mandatin e dytë ai bëri krejt të kundërtën, duke eksperimentuar nga një qeveri politike në një tjetër më shumë teknike. Edhe pse disa nga zgjedhjet nuk ia justifikuan këtë eksperiment, të tjera paguan. Ndonëse vetë Rama u detyrua që të korrigjohet rrugës, duke riformatuar dy herë kabinetin.

Dhe me këtë bagazh, qeveria e tretë e Ramës mund të thuhet se ishte një rezultante e tetë viteve të drejtimit mes shumë vështirësive, situatave dhe katër palë zgjedhjeve, të përgjithshme e lokale, ku asnjë prej të cilave nuk i ngjan tjetrës.

Duhet thënë se qeverisja e Ramës, sidomos mandati i dytë ka qenë një qeverisje atipike, e goditur jo vetëm nga problematikat dhe të papriturat me të cilat të përball pushteti e konsumimi në pushtet, por edhe natyra. Brenda katër viteve të mandatit të dytë, Rama u përball me një situatë politike të paprecedent, me largimin e opozitës nga Kuvendi, protesta që zgjatën me muaj, zgjedhje lokale mes tymit të gazit dhe djegies së godinave qeveritare, por çfarë është më e rëndësishmja me një fatkeqësi si tërmeti i 26 nëntorit 2019 që gjunjëzoi vendin dhe me një katastrofë globale si Covid-19 që gjunjëzoi për më shumë se një vit e gjysmë të gjithë botën. Të dy këto të fundit dëmtuan shumë rëndë si ekonominë dhe qeverisjen e dytë të Edi Ramës, por me kartën e përballimit të tyre, nga rindërtimi te vaksinimi, Edi Rama fitoi mandatin e tretë. Asnjëra prej vështirësive të mësipërme nuk është mbyllur, opozita është po e njëjta në Kuvend, rindërtimi edhe pse shumë është bërë, ende ka shumë për tu mbyllur, asnjë nuk e di se kur do të marrë fund emergjenca Covid dhe vaksinimi po ecën me problematikat e tij, por kabineti i ri i Edi Ramës, me gjithë rifreskimet, mund të thuhet qartë se ishte konfirmimi i qeverisë që mbajti sfidat e Tërmetit, Rindërtimit, Covid dhe Vaksinimit.

Me organizimin e ri, Edi Rama nuk freskoi vetëm fytyrën e qeverisë së mandatit të tretë, por edhe atë të partisë, duke ruajtur ekuilibrat jo vetëm të brendshëm në PS, por edhe ato mes tij dhe bashkëpunëtorëve, me ngritjen sërish të Damian Gjiknurit, rikthimin e Ditmir Bushatit, dhënien e përgjegjësive partiake sërish Blendi Klosit, e përfshirjen në parti të Anila Denajt. Diçka për të gjithë, me synimin për të mbajtur partinë të bashkuar pas tetë vjet qeverisje dhe konsumi që është i natyrshëm në pushtet, por me objektiv mandatin e katërt. Ndoshta nuk është mjaftueshëm në disa këndvështrime, por asnjëherë një parti që ka qeverisur për kaq gjatë nuk ka pasur thyerje dhe ndarje. PD jo, por as PS e Fatos Nanos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë