Ngjarje

Nga përdhunimi i nipit në Berat te djegia e banesës së Çalamanit, çfarë ndodhi në një javë

Ngjarjet tragjike, inçestet, aksidentet rrugore me viktima, si dhe akuzat për përdhunim të miturish nuk kanë munguar as në këtë javë.

Në 22 nëntor, një 17-vjeçare e larguar nga banesa e saj në Durrës, është gjetur pas një muaji nga policia, e cila ka arrestuar si të dyshuar një 24-vjeçar me iniciale SH.F., i cili kishte strehuar adoleshenten dhe rezultonte të ishte djali i hallës së saj.

Në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi edhe rreth 400 gramë lëndë narkotike kanbis sativa. Në polici, e reja pohoi se kishte shkuar me konsensus me kushëririn dhe se nuk ishte hera e parë.

Në 23 nëntor, ish-agjenti i SHISH-it, Xhevahir Mzhika, është arrestuar si i dënuar për një vrasje të kryer në vitin 2014 tek ish-Fusha e Aviacionit në kryeqytet.

Shtatë vite më parë, Mzhika vrau me armë zjarri pronarin e servisit, Florian Selmani pas sherrit për një gomë makine. Asokohe ai u dënua në mungesë me 10 vite burg.

Në 24 nëntor, dy persona u arrestuan, pasi u kapën me 30 kallëpe C4 tritol dhe dy celularë për t’u lidhur me mina.

Policia ndaloi shtetasit me iniciale A.M., 42 vjeç, banues në Durrës dhe I.L., 46 vjeç, banues në Dibër, të cilëve në makinën që po udhëtonin u është gjetur lëndë eksplozive.

Në 25 nëntor, 45-vjeçari Belul Kokollari, shqiptar i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi ishte shpallur në kërkim prej dy javësh me akuzën e përdhunimit të nipit të tij 8-vjeçar.

Dyshohet se ai ka abuzuar seksualisht me djalin e motrës në Berat, gjë që është provuar jo vetëm nga deklarimet e të miturit dhe nënës së tij, por edhe nga ekzaminimet mjekoligjore.

Në 26 nëntor, shtëpia Klodian Çalamanit, vrasësit të 8-vjeçarit Mateo Vasiu në fshatin Greçali në Fier, është përfshirë nga flakët.

Banesa e Çalamanit, e cila ndodhej pranë asaj të Mateos dhe ku nuk jetonte asnjë pas vrasjes makabër, është djegur së bashku me ato pak orendi që gjendeshin brenda.

Burime të Gazetasi.al thonë se djegia nuk është e rastësishme, as nga ndonjë shkëndijë elektrike dhe as nga ndonjë bombol gazi.

Dyshohet se zjarri mund t’i jetë vendosur shtëpisë për të fshehur gjurmët e krimit të ndodhur, ku mund të jetë i përfshirë edhe ndonjë person tjetër në fshat.

Mbrëmjen e të premtes, makinat e eskortës së ish-kryeministrit Sali Berisha janë përfshirë në një aksident në aksin rrugor Milot-Thumanë, në Fushë Mamurras.

Një 24-vjeçar nga Kosova është vënë nën hetim nga policia, pasi dyshohet se ka goditur aksidentalisht një nga mjetet që shoqëronin Berishën.

Një mësues 62-vjeç në Berat, i dënuar më parë për pedofili dhe ngacmim seksual u rikthye në detyrë për pak ditë në shkollën “22 Tetori”, por pas ultimatumit të prindërve të nxënësve, u shkarkua nga DAR.

Pas skandalit, ministrja e Arsimit Evis Kushi, tha se ka nisur një hetim për personat përgjegjës për punësimin e tij në shkollën 9-vjeçare.

Në 27 nëntor, një burrë dhe një grua kanë humbur jetën në një banesë në Golem si pasojë e asfiksisë nga gazi.

Kanë qenë fëmijët e viktimave që kanë denoncuar në polici se kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre. Viktimat janë Mihal Jani dhe Anila Llulla, përkatësisht 60 dhe 50 vjeçe.

Dy personat në fjalë, mësohet se ishin banues në Tiranë, ndërsa 60-vjeçari Jani kishte në pronësi dhe një apartament në Golem.

Mesnatën e 28 nëntorit, një autoambulancë që udhëtonte në rrugën e Rinasit është përplasur me një mjet, ku si pasojë e aksidentit humbi jetën 42-vjeçarja Anila Berdaku.

Ajo ishte nisur nga Fushë Kruja në Tiranë, pasi kishte probleme shëndetësore.Të plagosur mbetën edhe shoferi, infermieri dhe një pasagjere në ambulancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë