Mode

Nga ora Apple tek ngjyrat, pse Meloni nuk gabon kurrë sipas Vogue

Giorgia Meloni, gruaja më e fuqishme në Itali, kryeministrja e parë femër mban një Apple Watch. Herë e alternon me një Fitbit, herë me byzylyk Tricolor, e disa herë me byzylyk të ngjashëm me atë të Wonder Woman.

Dhe kjo, nuk është aspak e paqëllimshme, të paktën sipas një analize të Vogue. Meloni do të jetë ndryshe dhe prandaj mban orë, duke qenë se asnjë nga bashkëpunëtorët e saj nuk mban orë. Matteo Salvini e ‘zbukuron’ kyçin e dorës me disa byzylykë. Silvio Berlusconi është parë rrallë me një Nileg të vjetër, një orë e një kompanie italiane që nuk ekziston më, të cilën ai vetë ia dha babait të tij me fitimet e para dhe që i ati, para se të vdiste, ia ktheu.

Gjithashtu, në prag të një recesioni dhe një prej krizave më të mëdha ekonomike në historinë e Italisë, të shfaqësh një orë me vlerë më shumë se 300 euro do të dukej e tepërt!

Dhe Giorgia Meloni, e cila ka dëshmuar se është eksperte për çështjet e komunikimit, e kuptoi këtë edhe kur la mënjanë çantat e stilistëve me të cilat ishte fotografuar vitet e fundit, për të cilat u kritikua në mediat sociale.

Për fushatën e saj, liderja e Fratelli d’Italia u shfaq vetëm me çantat “Made in Italy”, ndoshta të prodhuara nga artizanët e vendeve që vizitoi në turin e saj.

Meloni kuptoi se politika bëhet edhe me veshje dhe Meloni u mundua të fitonte pikë edhe me veshjen tek votuesit e pakënaqur nga pandemia, lufta dhe kriza.

Stili i ri i Giorgia Melonit përfshin pantallona të gjera, atlete, xhaketa të buta dhe ngjyra të ndezura. Kjo sipas Vogue ishte një mënyrë për tu ndarë nga e kaluara që përfshin fashizmin dhe për të qenë koherente edhe me stilet e reja në Instagram.

Ngjyrat blu, imazhet më të pastra, fytyra më të buzëqeshura dhe kontraste më të buta ishin lajtmotivi i saj vitet e fundit.

Ajo tha para zgjedhjeve: “Unë nuk jam më 18-vjeçarja që lartësoi Benito Musolinin në një TV francez. Jam rritur, kam burrë, kam edhe një vajzë 6-vjeçare dhe jam gati ta drejtoj këtë vend me “dashurinë e nënës”.

Në fjalimin e parë pas fitores, ndërsa këngët e Rino Gaetanos e shoqëronin, ajo tha se fushata zgjedhore ishte “e dhunshme” dhe “agresive”, sulmonte dhe sulmohej.

Por tani, siguroi ajo, paqja duhet të vijë. Sepse koha që na pret është e vështirë dhe “kërkon kontributin e të gjithëve, një atmosferë të qetë dhe respekt të ndërsjellë”. Kështu tha ajo, pak pasi mori nga toka një bluzë të bardhë që ia kishin hedhur nga skena dhe që kishte të shkruar “Unë jam Giorgia, jam nënë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë