Financa Personale

Nga nafta tek shërbimet e parukerive, shqiptarët po përballen me çmimet e larta

Nga Gazeta “SI”- Diskutimi më i madh i këtyre ditëve në hapësira publike shqiptare, fizike apo jo, ka qenë mungesa e njerëzve në qytetet jugore të vendit, ata që janë sinonim i sezonit turistik në vend.

Operatorët turistikë në vend, pa hezitim, thanë fajtorin: çmimet e larta.

“Ndëshkimi më i madh na vjen nga rritja e çmimeve”, pohojnë ata për gazetasi.al duke shtuar se kjo problematikë është më e madhe edhe se mungesa e 10 mijë punëtorëve që i mungojnë aktualisht sektorit.

Sipas tyre, pritshmëritë janë rrëzuar dhe panorama për muajin gusht është e zymtë.

Por, sektori turistik nuk është i vetmi që po reagon ndaj inflacionit të lartë në vend.

Për muajin qershor, inflacioni ishte 7.4%, ku peshën më të madhe e kanë patur ushqimet dhe pijet joalkoolike bashkë me transportin, i cili në raport vjetor ka pasur rritjen më të madhe, prej rreth 30%.

Ushqimet zënë 42% të buxhetit të një familje duke i bëre ata më të brishtë ndaj rritjes së çmimeve.  

Sipas raportit të sapopublikuar të OKB-së, kriza e çmimeve në muajt e fundit ka shtuar 90 mijë të varfër “të rinj”, në Shqipëri, të cilët jetojnë me 5.5 dollarë në ditë.

Thirrj e vazhdueshme e ndërkombëtarëve drejtuar qeverisë shqiptare ka qenë pikërisht ndihma ndaj shtresave më vulnerabël, sepse siç shpjegon “The Economist”, të varfërit janë ata që ndjejnë inflacionin më të lartë.

Rritja e kostos së transportit lidhet drejtëpërdrejtë me rritjen e çmimit të naftës. Ndonëse në vendin tonë, është ngritur një Bord për kontrollin e çmimit të hidrokarbureve, ato vazhdojnë të jenë më të lartat në historinë e Shqipërisë.

Nga vendimi i fundit i Bordit të Transparencës, u vendos që nafta të shitej me 238 lekë/litër.

Sektori i bujqësisë, po dëmtohet po ashtu nga rritja e çmimit të naftës dhe sidomos plehrave kimike. Fermerët pohojnë se kompanitë, po i shesin plehrat kimike me çmime 10 herë më të larta nga më parë. Ndërkohë, prodhimet e tyre shiten poshtë vlerës së caktuar.

Por vala e rritjes së çmimeve ka prekur dhe sektorin e argëtimit. Lokalet, restorantet dhe klubet e natës, kanë rritur tarifat e tyre. Madje, klubet e natës kanë rikthyer pagesën vetëm për hyrjen, nga 5-10 euro/personi.

Kjo ka sjellë dhe rënien e konsumit në këto vende.

Rënia më e madhe e konsumit po vihet re nëpër restorante, aty ku rritja e çmimeve të lëndëve të para u reflektua shpejt, sipas Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

 “Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur deri në 40% dhe kryesisht vaji i cili përdoret gjerësisht në këtë sektor. Është e kuptueshme që konsumi do të ulet sepse njerëzit në situata të tilla priret të kursejnë. Sot blerësit shohin me vëmendje faturat e ushqimeve të tyre pasi ka rritje të secilit produkt”, thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se kjo do të jetë një tjetër goditje për sektorin e shërbimeve pas pandemisë e cila e uli ndjeshëm konsumin në këto struktura.

Berberët dhe parukierët kanë rritur çmimet e shërbimeve të tyre me 20-40%. Ata pranuan për gazetën “SI”, se “këtë ka bërë gjithë Europa dhe çmimet janë rritur për këdo”.

Ndërkohë, në matjet e Numbeo, mbi indeksin e kostos së jetesës, rezulton se kjo kosto është rritur nga janari në qershor në vendin tonë.

Në janar 2022, kostoja mesatare për një familje me 4 persona ishte 167.8 mijë lekë, pa përfshirë qiranë, ndërsa në qershor është 200.8 mijë lekë.

Kostoja e raportuar në janar, për një person të vetëm, në një muaj, ishte 47.8 mijë lekë dhe 5 muaj më vonë, 56.9 mijë lekë pa përfshirë qiranë.

Ndërkohë rritje të tjera, si ajo e metrit katror të banesave dhe qirave të tyre, nisën rritjen që pas pandemisë dhe nuk kanë ndalur ende, por tashmë, rritja do të vazhdojë në grup, edhe për elementët e tjerë.

Mesa duket, fuqia blerëse në Shqipëri do të vazhdojë të jetë e fundit në Europë, edhe për këtë vit, ose dhe më gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë