Pasuritë e fshehura nga qindra persona të pasur e njerëz të pushtetshëm në mbarë botën po ekspozohen një nga një në një prej rrjedhjeve më të mëdha të informacionit financiar. Transaksionet financiare dhe blerjet e pronave përmes kompanive fantazmë, ose të regjistruara në parajsa fiskale po nxjerrin zbuluar udhëheqës botërorë, që nga Mbreti Abdullah i Jordanisë, te ish-kryeministri britanik, Tony Blair, Presidenti rus, Vladimir Putin dhe një politikan shqiptar, emri i të cilit ende nuk është bërë publik.
Bëhet fjalë për materiale në format dosje, foto, video, audio dhe bilance financiare me një madhësi prej rreth 3 terrabyte, që zotërohen nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, një organizatë që mbledh në gjirin e saj më shumë se 600 gazetarë e reporterë nga e mbarë bota.
Skandali është quajtur “Pandora Papers” dhe ai ka hapur “Kutinë e Pandorës”, që mund të trondisë shtete të tëra në mbarë botën. Të dhënat janë më masive se Panama Papers, që shpërtheu në vitin 2016 nga zyra e kompanisë ligjore Mossack Fonseca.

Dokumentet tregojnë se si Mbreti Abdullah i Jordanisë bleu fshehurazi prona me vlerë mbi 100 milionë euro në Britaninë e Madhe, në Uashington dhe në Malibu të Kalifornisë. Sipas raportimeve, Mbreti përdori një rrjet llogarish të fshehta për të blerë tre prona me vlerë 70 milionë dollarë në Malibu mes viteve 2014 dhe 2017.
Ish-Kryeministri britanik, Tony Blair dhe bashkëshortja e tij, Cherie shmangën 360 mijë dollarë taksa nga blerja e një prone me vlerë 6.5 milionë dollarë në Londër. Ata shfrytëzuan një vakuum ligjor, duke blerë në kompaninë zotëruese të saj, të regjistruar në parajsa fiskale.

Transaksioni i ish-Kryeministrit britanik nuk përbën shkelje ligjore, por moralisht ai vë në pikëpyetje të madhe sinqeritetin e Tony Blair, që ndër vite ka mbajtur flamurin e luftës kundër shmangies së taksave nga personat e pasur dhe të pushtetshëm.
Dokumentet nxjerrin se në grua ruse, që thuhet se ka qenë në marrëdhënie intime me Presidentin Vladimir Putin, u bë papritur pronare e një apartamenti luksoz në Monako, vetëm pak javë pasi kishte lindur një fëmijë. Apartamenti, që kushton 3.6 milionë euro përfshinte dy hapësira parkimi dhe një pishinë u ble përmes një kompanie të regjistruar në Ishujt Virxhin. As Kremlini dhe as gruaja e identifikuar si Svetlana Krivonogikh nuk kanë komentuar këto raportime.

Presidenti azer, Ilham Aliyev zbulohet në dokumente se duke shfrytëzuar një rrjet kompanish të regjistruara në parajsa fiskale i ka blerë në 2009 djalit të tij, në atë kohë vetëm 11 vjeç, prona me një vlerë prej 600 milionë eurosh. në Britaninë e Madhe, përfshirë këtu një bllok zyrash në qendër të Londrës.

Kryeministri çek, Andrej Babis, që këtë javë ka zgjedhje ka shpenzuar 22 milionë dollarë për të blerë një kështjellë në jug të Francës. I pyetur nga BBC, Babis refuzoi të komentojë këto raportime.
Nga rajoni, dokumentet kanë zbuluar deri më tani ministin serb të Financave, Sinisha Mali, politikan që dyshohet me fije të nëndheshme të forta politike e në biznesin e hidrokarbureve në Serbi, Mal të Zi e më gjerë.
Emri i tij lidhet me blerjen e një kompleksi apartamentesh në Bullgari nga kompania e Srdjan Dabiç, drejtor i filialit serb të kompanisë ruse të naftës, “LukOil”. Mali ka luajtur një rol edhe në fshehjen e pasurive të Presidentit malazez, Milo Gjukanoviç përmes një rrjeti llogarish të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.

Mendohet se ministri serb i Financave ka luajtur edhe një rol kyç në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, duke shfrytëzuar miqësinë me Richard Grenell, ish i dërguari i posaçëm i Donald Trump për këtë dialog.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky transferoi pasuritë e tij te nëj kompani të regjistruar në parajsa fiskale vetëm pak ditë para se të fitonte në zgjedhjet presidenciale të 2019-s.
Familja e Presidentit kenian, Uhuru Kenyatta, që ka dominuar politikën vendase që prej pavarësisë, zotëron prej dekadash një rrjet kompanish të regjistruara në parajsa fiskale me vlera totale që shkojnë mbi 60 milionë dollarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



