Lojëra me Dore

Nga Janis te Jokiç, ju njohim me 10 yjet e Botërorit të basketbollit

Në Kinë nis sot Botërori i basketbollit të meshkujve. Pretendentët janë po ata, Amerika kampione në fuqi, Serbia, Spanja, Lituania e ndonjë tjetër. Amerikanët paraqiten me shumë mungesa në këtë aktivitet dhe shanset janë që ta humbin kurorën. Në Botërorin e Kinës janë disa lojtarë, te të cilët do të jetë e përqendruar e gjithë vëmendja. Ju njohim me 10 prej yjeve të këtij kompeticioni.

Janis Antetokoumpo, ylli i Greqisë. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Janis Antetokoumpo (Greqi)
Nuk ka shumë për të thënë se sa i fortë është dhe çfarë di të bëjë. Sezonin e fundit u shpall lojtari më i mirë në NBA. Për të kuptuar më mirë nivelin e tij, mjafton të citojmë shokun e tij të skuadrës, Bruk Lopez: “Është e pabesueshme të mendosh sa i fortë është dhe është më e pabesueshme të kuptosh se mund ta rritë më shumë nivelin”. Antetokoumpo ka te Greqia disa shokë të denjë skuadre dhe grupi ku bën pjesë nuk është i komplikuar. Është Zeusi i trajnerit Skurtopulos dhe Greqia shkon ku e çon ai.
Sezoni i fundit. Milluoki Baks (NBA: 27.7 pikë (për ndeshje), 12.5 ribaunde, 5.9 asiste

Marko Gasol, ylli i Spanjës. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Mark Gasol (Spanjë)
Në një skuadër që synon e qetë suksesin, edhe pse është në fazën e ndryshimit të gjeneratave dhe është privuar nga disa lojtarë të fortë si Pau Gasol, Rodriguez, Ibaka dhe Mirotiç, Mark është fari teknik dhe moral i Spanjës. Është në rënie, por ende dominues në ajër. Vjen nga një sezon si kampion i NBA-së me Toronton. Në formë janë edhe Rubio, Lul dhe vëllezërit Hernangomez, por Mark Gasol është ai që mund t’i japë Spanjës diçka më shumë se të tjerët në momente delikate.
Sezoni i fundit. Toronto Raptors (NBA): 9.1 pikë, 6.6 ribaunde, 3.9 asiste

Rudi Gobert, ylli i Francës. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Rudi Gobert (Francë)
Në vendin e tij kanë filluar tashmë ta thërrasin “Tour Eiffel” (kulla Eifel). Kjo do të thotë se ai ka një peshë të madhe në kombëtaren franceze. De Kolo dhe Furnier vijnë pas një sezoni të mirë, Ntilikina është një organizator special, Batum dhe Labeirie janë shumë të shpejtë dhe kanë përvojë, por Franca varet shumë nga mbrojtësi më i mirë i 2 sezoneve të fundit në NBA, një qendër prej 2.16 metrash dhe me një hapje krahësh prej 2.40 metrash. Nëse është në formë të mirë, nuk lejon askënd të gjuajë rehat.
Sezoni i fundit. Jutah Xhaz (NBA): 15.9 pikë, 12.9 ribaunde, 2.3 stopime

Rui Haçimura, ylli i Japonisë. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Rui Haçimura (Japoni)
Nuk ka dyshime për talentin e tij. Shënoi 31 pikë në miqësoren me Gjermaninë dhe thuajse të gjitha duke sfiduar peshat e rënda të ekipit kundërshtar. I mundi me driblime dhe i mbushi me faulle teknike. Dukej si një kobra në mes të elefantëve. Me nënë japoneze dhe baba nga Benini, zgjodhi të përfaqësojë Japoninë. Një lojtar shumë i rrezikshëm, gati për t’u transferuar në NBA, duke qenë se bën pjesë edhe në grupin e Amerikës.
Sezoni i fundit. Gonzaga (NCAA): 19.7 pikë, 6.5 ribaunde, 41% i saktë në gjuajtjet për 3 pikë

Nikola Jokiç, ylli i Serbisë. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Nikola Jokiç (Serbi)
Bashkë me Janis të Greqisë, janë dy lojtarët më të vështirë për t’u markuar të Botërorit. Vetëm se Jokiç ka në skuadër lojtarë të një niveli më të lartë. Dhe në krahasim me grekun, bën një lojë më adapte ndaj basketbollit europian. Është 2.13 metra i gjatë, i saktë në gjuajtje dhe i shkathët në organizim loje. Në sezonin katërt të tij në NBA ka treguar edhe aftësi të mira mbrojtëse. Luan mirë në linjë dhe arrin t’i rrëmbejë topa kundërshtarit. Bukur ta shohësh në parket bashkë me Marjanoviç.
Sezoni i fundit. Denver Naxhets (NBA): 20.1 pikë, 10.8 ribaunde, 7.3 asiste

Denis Shrëder, ylli i Gjermanisë. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Denis Shrëder (Gjermani)
U ndal nga Haçimura në kontrollin e topit në miqësoren e fundit, ku japonezi shkëlqeu. Gjermania nuk është një skuadër e fashës së parë në këtë kompeticion, por mund të surprizojë, nëse Shrëder luan me shpejtësinë e tij të zakonshme. Luan një tjetër muzikë në raport me të tjerët dhe shumë janë ata që e dëgjojnë…
Sezoni i fundit. Oklahoma Siti (NBA): 15.5 pikë, 3.6 ribaunde, 4.1 asiste

Jonas Valanciunas, ylli i Lituanisë. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Jonas Valanciunas (Lituania)
Vjen nga një sezon i komplikuar, i shoqëruar me disa dëmtime të bezdisshme, që e çuan te Memfis, duke iu dhuruar Mark Gasolin Raptorsave. Por nuk është e thënë se nuk mund të shkëlqejë në Botëror. Ne testet e fundit është treguar agresiv, si në kohët e tij më të mira. Ka disa aftësi teknike të jashtëzakonshme dhe premton shumë si çift bashkë me Sabonis. Nëse nuk e tradhtojnë këmbët, për centimetra dhe talent është ndër 2-3 më të mirët e turneut në rolin e vet.
Sezoni i fundit. Toronto Raptors (NBA): 12.8 pikë, 7.2 ribaunde, Memfis Grizlies (NBA): 19.9 pikë, 10.7 ribaunde

Nikola Vuçeviç, ylli i Malit të Zi. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Nikola Vuçeviç (Mali i Zi)
Kompanitë e basteve e kuotojnë Malin e Zi si fitues të Botërorit me koeficientin 500. Për ta kuptuar më qartë, Mali i Zi është poshtë Kanadasë, Brazilit, Italisë dhe Nigerisë. Kjo mund të qëndrojë, por duhen bërë llogaritë me Vuçeviç, i cili sapo ka firmosur një kontratë 4-vjeçare prej 100 milionësh dollarësh me Orlandon. Bën gjithçka mirë poshtë koshit, është mjaft energjik dhe agresiv. Veçeviç është pika e referimit të një skuadre pa lojtarë të tjerë të mëdhenj, por solide. Me siguri Nikola do ta kalojë Malin e Zi në grup, më tej mbetet për t’u parë.
Sezoni i fundit. Orlando Mexhik (NBA): 20.8 pikë, 12 ribaunde, 3.8 asiste

Kemba Uollker, ylli i Amerikës. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Kemba Uollker (Amerikë)
Mbi shpatullat e Kembas nuk është vetëm Amerika, e kushtëzuar nga mungesat e shumta dhe nën një presion të madh, por edhe karriera e tij. Është ai “violina e parë” e kampionëve në fuqi, një lojtar me një mesatare prej 20 pikësh për ndeshje. Bostoni e ka marrë gratis, ndërkohë që një dështim në Botëror do të godiste shumë moralisht yllin e vetëm të mbetur te kombëtarja amerikane. Një detyrë e vështirë, por nëse dikush mund t’ia dalë, është pikërisht ai.
Sezoni i fundit. Sharlot Hornets (NBA): 25.6 pikë, 4.4 ribaunde, 5.9 asiste

Uang Zhelin, ylli i Kinës. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Uang Zhelin (Kinë)
Lojtari më i mirë i kampionatit të fundit në Kinë, që mes dinosaurëve të NBA-së, pagesave dhe rritjes së nivelit, është bërë më kompetitiv. Tre vjet më parë u kërkua nga Memfis, por preferoi të mos lëvizte nga Fuljan, ku regjistron numra domethënës. Është 2.12 metra i gjatë dhe peshon 102 kilogramë. Është si një balerin dhe i frikshëm në kundërsulm. Bashkë me Zhou Ki dhe Yi Jianlian, bëjnë 6.4 metra. Te këta lojtarë trajneri i Kinës e ka ndërtuar skuadrën.
Sezoni i fundit. Fuljan Sturgeons (Kinë): 24.7 pikë, 13.9 ribaunde, 2.3 asiste


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë