Drejtësia

Nga ish-ministra, kryetarë bashkie e ish-gjykatës, bilanci i zyrtarëve të lartë të arrestuar apo nën hetim

Gazeta Si – Arrestimi, procedimi penal apo hetimit ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka qenë një nga temat ku kreu i SPAK, Altin Dumani i kushtoi një vëmendje të veçantë.

Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve ai bëri një bilanc për të gjithë funskionarët e lartë, të cilët janë arrestuar, janë të pandehur apo janë hetuar.

Dumani u shpreh se janë kryer gjithsej 20 procedime penale me 22 persona nën hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në funksion.

Sipas tij, janë edhe 5 magjistratë, 3 ish-gjyqtarë të shkallës së parë, një ish-gjyqtare i apelit dhe një ish-prokuror.

“5 ish-kryetar bashkie, një ish-kandidat për kryetar bashkie, dy kryetarë bashkie, një ish-ministër Finance, një ish-ministër Mbrojtje, një ish- ministër Mjedisi, një ish-ministër Shëndetësie, një ish-zv.ministër Shëndetësie, një ish-kryeministër, një ish-sekretar i ministrit të Mjedisit, një ish-sekretar i Ministrisë së Drejtësisë dhe një ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë”, - theksoi kreu i SPAK.

Për herë të parë, Dumani shpjegoi se janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona me hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.

“Janë dërguar në gjykatë 11 çështje me kërkesë për gjykim 12 persona të pandehur në cilësinë e ish zyrtarit të lartë me funksione: 5 ish-kryetarë bashkie, një ish-gjyqtar, një ish ministër Mjedisi, një ish ministër Finance, dy kryetarë bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie dhe një ish Sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë”.

Sa i takon zyrtarëve të lartë të dënuar, ata janë “janë 9 me funksion:  Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish-nënkryetar bashkie. Janë në proces gjykimi 4 ish-magjistratë, është në hetim një ish magjistratë në gjykatë e lartë, janë dënuar nga gjykata dy ish magjistratë”, shtoi drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë