Ngjarje

Nga dizajni… te striptistet

Një 40-vjeçar nga Senegali ndihet jo vetëm i kërcënuar, por edhe i fyer nga një biznesmen nga Tirana, të cilin nuk ka hezituar aspak ta kallëzojë. Incidenti i fundit që pati Christophe Mendes Dias që është rezident në kryeqytet, i ndodhi pranë Stadiumit “Selman Stërmasi”. Dy djem të rinj i zunë rrugën si pa dashje për shkak të një konflikti pune që kishte, ndërkohë që më vonë në WhatsApp i erdhi mesazhi si më poshtë: “O b..th zi , unë do të q. robt, ti nuk je gangster me mbajt paratë e mia”.
Afrikani rrëfen: “Jam me profesion specialist marketingu dhe biznesmen në këtë fushë dhe në dizanjin e veshjeve. Në fund të muajit prill njoha në bankë një zonjë me emrin Anila Bregasi, e cila më vonë më shtroi një problem personal, duke më thëne se i fejuari i të bijës kishte një ‘strip club’. Më vonë u takova me dy të rinjtë dhe ju shpjegova idetë e mia se si mund t’u ecte puna dhe si të organizohej clubi. Tri javë pas kësaj bisede më thanë në e-mail që të përgatisja kontratën dhe t’ua dërgoja me e-mail dhe të vazhdonim punën. Ata ranë dakord për kushtet pasi ju dërgova kontratën dhe më vonë ramë dakord të paguanin 60 për qind të shumës totale. Më dhanë në dorë 6 mijë euro dhe në total do paguhesha 10 mijë euro”.
40-vjeçari nga Senegali shton se si gjatë tre muajve në vazhdim ka vazhduar me planin imediat për të ngritur biznesin e striptizmit, duke bërë logon e ‘strip club’, krijim të faqes në internet, dizajnin e jashtëm si edhe dizajnin në rrjetet sociale. Ai kujton se njëri nga punëdhënësit, i quajtur Denis, i kishte kërkuar që ta ndihmonte edhe në përzgjedhjen e stafit. “Në këtë kohë i kërkova edhe pjesën tjetër të shumës së mbetur dhe ai më tha se këtë pjesë do ta merrja pasi t’i sillja stafin e ‘strip club’-it nga Kuba. Këtu filloi konflikti mes nesh”, kujton denoncuesi.
“Ai filloi të debatonte e të më thoshte se nuk i pëlqente puna ime dhe se duhet t’i ktheja paratë mbrapsht. Diku në muajin gusht, Denisi më shkroi në WhatsApp dhe më kërkoi të vijoja punën e lënë në mes pasi do ma jepte edhe shumën tjetër. Lamë takim te Parlamenti, por Denisi erdhi me dy djem të tjerë, njëri prej të cilëve quhej Eldi dhe filluan të më kërcënojnë e të më bërtasin. Më pas, ata kanë ardhur disa herë te dyqani im te hotel ‘Plazza’ dhe jo vetëm që kanë shqetësuar stafin po i kanë thënë “ ku është ai i ziu”. Ndaj kërkoj ndjekje ligjore. Situata po kthehet e padurueshme dhe ndihem jo vetëm i frikësuar, por edhe i fyer”, e mbyll denoncimin 40-vjeçari nga Afrika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë