Ngjarje

Nga Anglia në Itali për një jetë të mirë, kush është i riu nga Fieri që u vra nga ish-bashkëshorti i partneres

Pas shkollës së mesme, 23-vjeçari Florino Mërkuri fluturoi drejt Anglisë në kërkim të një të ardhmeje. Prej dy vitesh jetonte në zonën e Venecias si punonjës në një kompani ndërtimi. Ai jetonte prej një viti e gjysmë me Vera Myrtajn. Dhimbja e vëllait: Kishe akoma shumë kohë për të jetuar

Gazeta Si – Florino “Nino” Mërkuri u vra në moshën 23-vjeçare nga ish-bashkëshorti i Vera Myrtajt.

41-vjeçari Viron Karabollaj ekzekutoi disa ditë më parë të riun shqiptar dhe gruan me të cilën ishte divorcuar prej vitesh.

Lindur dhe rritur në Fier, pasi mbaroi shkollën e mesme, Mërkuri u transferua në Angli në kërkim të punës dhe të ardhmes.

Dy vite më parë ai zgjedh për t’u zhvendosur në Itali, në zonën e Venetos, ku gjeti shumë shpejt punë në një kompani ndërtimi.

“Më kujtohet kur si fëmijë punonte si bari për të ndihmuar familjen të sillte bukën në shtëpi, – thotë M, një nga kushërinjtë e tij. – Situata ekonomike në të cilën ata ndodheshin në atë kohë nuk ishte aspak e thjeshtë. Florino ka qenë gjithmonë një shpirt i mirë, ishte shumë i lidhur me prindërit, vëllezërit e motrat: do të kishte bërë gjithçka për ta”.

Jeta e re në Itali

Pak muaj pas shpërnguljes në Spinea, Venecia, i riu shqiptar kishte takuar bashkëkombësen e tij, Vera Myrtaj, 37-vjeçare, nënë e dy vajzave, e divorcuar nga bshkëshorti prej vitesh.

Vera dhe Florino jetonin së bashku prej një viti e gjysmë në shtëpinë në “via Leopardi”, që gruaja kishte blerë së bashku me babain e vajzave të saj.

Aty, të dielën e 20 nëntorit, Viron Karabollaj i qëlloi për vdekje në një krim të shkaktuar në dukje nga xhelozia.

Florino, sipas konstatimeve të karabinierëve, është përpjekur të mbrohet, por nuk ia ka dalë dot: në trup, i gjetur në garazh, ka pasur shenja të plagëve me thikë pjesën e përparme të trupit dhe gjithashtu në shpinë.

“Martina, motra e madhe e tij, e cila jeton prej gjashtë muajsh në zonën e Venecias, është thirrur në morg nga hetuesit për të verifikuar nëse bëhej fjalë për vëllain e saj”, – shkruajnë mediat italiane.

Ndërkohë, kushëriri i tij, M, vijon “Familja e Ninos ishte në dijeni të dashurisë së re të lindur me Verën. Ata nuk e kishin takuar kurrë vajzën, por ishin shumë të lumtur që ‘i vogli’ i tyre ishte gati të bëhej burrë, të krijonte një familje”.

Dhimbja e vëllait

Pikërisht familja: për Florino Mërkurin ishte një dëshirë e fortë, pavarësisht moshës së tij të re.

“Nuk gjej fjalët e duhura për të shpjeguar se kush ishte në të vërtetë vëllai im – thotë Eljo Merkuri, vëllai i madh. – Ne u rritëm bashkë me vuajtje dhe luftë, por nuk kishte rëndësi, sepse kishim njëri-tjetrin. Së bashku jemi grindur, kemi qeshur, kemi qarë, por kemi qenë gjithmonë aty dhe tani më ka mbetur vetëm një zemër e thyer në shpirt”.

Më pas, disa fjalë të tjera drejtuar të vëllait të tij që nuk jeton më: “Kishe akoma shumë kohë për të jetuar, – shkruan Eljo. – Gjithë mundi dhe sakrifica që kemi shpenzuar në këtë jetë, nuk na ka sjellë asnjë përfitim. Unë po qëndroj këtu, duke pritur të shoh buzëqeshjen që më dhurove sa herë që takoheshim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë