Ngjarje

Tani pasaportat e kartat i bën shteti. Tarifat s’ulen si premtoi Çuçi, të njëjta si privati

Nga Gazeta ‘SI’ - Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla kanë firmosur tarifat e reja të dokumenteve biometrike si shërbim shtetëror, të njëjta me ato të koncesionarit ALEAT që e ofroi këtë shërbim prej 15 vitesh.

Në tabelën e udhëzimit, shihet se kuponi për një kartë identiteti do të kushtojë 1.500 lekë dhe kuponi për një pasaportë po 7.500 lekë.

Nga 1 gushti, çdo qytetar do të mund të marrë kuponat në kompaninë shtetërore “IdentiTek”, në çdo zyrë të Postës Shqiptare. Kjo datë shënon dhe fundin e kontratës së shtetit shqiptar me ALEAT.

“IdentiTek” e krijuar nga Këshilli i Ministrave në fillim të këtij viti do të lëshojë dhe dokumentet biometrike për ambasadat, të huajt, refugjatët, ata me status mbrojtje etj.

Shtetëzimin e këtij shërbimi e pati lajmëruara paraardhësi i Ballës, Bledar Çuçi në fund të vitit 2022, ku pati theksuar se do të kishte dhe një rishikim tarifash, që sipas udhëzimit të fundit nuk ka ndodhur.

“Ne do ta rishohim edhe çështjen e tarifave sepse në momentin që kjo kompani apo prodhimi i kartave biometrike do të kalojë në dorë të një kompanie shtetërore shqiptare, është në kopentencën e plotë të kësaj kompanie për të marrë vendimet e duhura në lidhje me tarifat. Dhe kjo gjë do të shihet kur të marrë kompetencën kompania shqiptare. Ju garantoj që për dokumente që janë të detyrueshëm, kemi ndjeshmërinë për të reduktuar tarifat, ndërsa për dokumente që nuk janë të detyrueshëm…Politikisht them se kemi qëllim t’i reduktojmë dhe pse jo mund t’i çojmë në zero, nëse shohim se kjo është e mundur”, tha ish-ministri Çuçi.

“IdentiTek” zëvendëson ALEAT

Në 14 shkurt 2023 qeveria hapi rrugë krijimit të kompanisë shtetërore për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit. Krijimi i kësaj kompanie do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 20 000 000 lekë. Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7500 për një afat 15 ditor, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18.000 lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1500 lekë.

Loina Prifti është drejtuesja e re e cila do të jetë në krye të institucionit që do të prodhojë pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. Ky institucion nuk do të njihet më me emrin “Aleat”, por “IdentiTek”. Ajo pritet të marrë detyrën e re në datën 1 gusht, datë ku firmës private “Aleat” i përfundon kontrata për prodhimin e dokumenteve biometrike me shtetin shqiptar, të lidhur që në vitin 2008.

Loina Prifti prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja aktualisht punon në Katedrën e Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe merret me inteligjencën artificiale.

Një nga ndryshimet që kjo agjenci do të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të jetë ulja e tarifave si për kartat e identitetit dhe pasaportat, por akoma nuk janë përcaktuar pasi janë në diskutim.

Sa i takon logjistikës dhe infrastrukturës mësohet se shoqëria aksionere “IdentiTek” do të mbajë të njëjtat zyra, pajisje dhe punonjës që ka deri më sot “Aleat”, përfshirë edhe mbajtjen e lidhjeve me kompaninë “Idemia” në Francë.

Kompania shtetërore do të ofrojë kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:

a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;

b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);

c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;

ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;

d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë