Për Nelson Mandelën ato ishin “kafshata të pasura me thelbin e grimcuar të Afrikës, por në shumë raste universale në portretizimin e njerëzimit, kafshëve dhe mistikëve”.
Të përcjellë ndër breza, të pëshpëritura në kohën e gjumit dhe të rrëfyera me zhurmë nga pleqtë, përrallat popullore kanë qenë prej kohësh një shtyllë e trashëgimisë kulturore afrikane.
Tani disa nga ato përralla, – mbase ajo për një hienë mashtruese ose një gjarpër me shtatë koka -do të fitojnë njohje të re globale, pasi një konkurs i ri synon të gjejë gjeneratën e ardhshme të kineastëve nga Afrika sub-Sahariane. Unesco është bashkuar me gjigantin transmetues Netflix për të gjetur dhe financuar gjashtë filma të shkurtër “duke imagjinuar” përralla popullore që do të shfaqen premierë në 2022.
“Ne duam të gjejmë rrëfimet më të guximshme, më të zgjuara dhe më befasuese të disa prej përrallave më të dashura të Afrikës dhe t’i ndajmë me adhuruesit e argëtimit në të gjithë botën në mbi 190 vende”, është shprehur organi kulturor i Kombeve të Bashkuara dhe kompania prodhuese në një deklaratë të përbashkët.
Fituesit e konkursit, i cili hapet të enjten, do të trajnohen dhe udhëhiqen nga profesionistë të industrisë dhe do të marrin një grant prodhimi prej 75,000 dollarë përmes një kompanie vendase. Aplikantët duhet të jenë shtetas dhe banorë të një vendi në Afrikën nën-Sahariane dhe të jenë të moshës 18-35 vjeç.

Ernesto Ottone, ndihmësdrejtori i përgjithshëm i Unesco-s për kulturën, tha se organizata i ishte afruar Netflix, ndërsa kryente hartëzimin e parë të plotë të filmit dhe industrisë audiovizuale të kontinentit. Ky raport, i publikuar javën e kaluar, zbuloi se industritë krijuese aktualisht nuk ishin shumë të mira, por mund të katërfishonin të ardhurat e tyre dhe të krijonin 20 milionë vende pune shtesë.
“Ajo që ne po përpiqemi të arrijmë me [Netflix] … është se si mund t’i angazhojmë ata kineastë të rinj në tregimin e historive të popullit afrikan dhe në përcjelljen nëpër breza të kulturës dhe traditave që janë në Afrikë”, tha ai. Për ta bërë këtë, partneriteti me një platformë në shkallën globale të Netflix ishte jetik për të siguruar shikueshmërinë, tha ai.
Ottone hodhi poshtë çdo sugjerim që konkursi mund të shihet si një nismë perëndimore që përpiqet të kuptojë zërin afrikan.
“Jo, ne nuk e besojmë sepse, siç mund ta shihni, ajo që ne po lançojmë është që krijuesit dhe regjisorët e rinj afrikanë të tregojnë historitë e tyre … Ne nuk po tregojmë histori nga Veriu i Afrikës, asaj që duhet të jetë ose çfarë mund të jetë përfaqësuese e Afrikës. Nuk është ky qëllimi. Qëllimi është t’iu japim zërin krijuesve të rinj që jetojnë atje dhe po krijojnë atje”.

Shumë nga kineastët e kontinentit përballen me barriera të rëndësishme, nga ato politike-kufijtë e lirisë së shprehjes janë të zakonshëm-deri tek ato praktike: lidhje të dobët në internet dhe mungesë fondesh. Raporti i Unesco zbuloi se vetëm 19 vende afrikane ofruan mbështetje financiare për kineastët.
Ben Amadasun, drejtori i përmbajtjes i Netflix në Afrikë, tha: “Afrika ka një trashëgimi të pasur të përrallave dhe një pasuri të tregimeve popullore që janë përcjellë brez pas brezi. Kur përballeni me këto histori shumë lokale me talentin e afrikanëve, nuk ka kufi për historitë e reja për të lidhur njerëzit me kulturat afrikane dhe për ta sjellë botën aq më afër njëri-tjetrit”.
Amadasun, i cili është nigerian, tha në fillim të këtij viti se ai besonte se bota ishte dëshmitare e “fillimit të një epoke të artë për filmat afrikanë”. Netflix, tha ai për revistën Neë African, ishte “një nga kompanitë kryesore në botë që mund të na japë këtë mundësi që historitë dhe zërat tanë të dëgjohen në të gjithë botën”.
Në parathënien e antologjisë së tij të vitit 2002 të përrallave afrikane, Nelson Mandela, tha se ishte e natyrshme që historitë e treguara gjatë shekujve të rindërtoheshin nga njerëz të ndryshëm dhe në vende të ndryshme.
“Sepse një histori është një histori”, shkroi ai, “dhe ju mund ta tregoni ashtu siç e dikton imagjinata juaj, qenia juaj dhe mjedisi juaj; dhe nëse historia juaj rritet dhe bëhet pronë e të tjerëve, ju nuk mund ta mbani atë. Një ditë do të kthehet tek ju, i pasuruar me detaje të reja dhe me një zë të ri”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




