Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë për protestën e nesërme, të thirrur nga Partia Demokratike. Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
Nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
Nga ora 15:00 e datës 08.05.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Kufizime do të ketë gjithashtu edhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme, ndërsa u ka bërë thirrje protestuesve për respektimin e kufijve të lejes së protestës dhe zbatimin e ligjit gjatë zhvillimit të tubimit.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit Skënder Hita, protesta është e autorizuar vetëm në hapësirën e përcaktuar në bulevard, ndërsa çdo devijim nga itinerari i miratuar do të sjellë ndërhyrjen e strukturave ligjzbatuese.
Po ashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka bërë publik një njoftim drejtuar shtetasve amerikanë, ku u këshillon që të tregohen të kujdesshëm.
“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kryeqytet. Po ashtu, bëhet e ditur se stafi i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën ku do të zhvillohet protesta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje