Ngjarje

Të dielën ndryshon ora, akrepat kthehen 60 minuta prapa

Të dielën rikthehet ora dimërore. Akrepat e orës do të kthehen 60 minuta prapa, duke u gdhirë 27 tetori.
Pas natës së të shtunës, akrepat do të shkojnë prapa një orë, pra ora 03:00 do të jetë ora 02:00 pas mesnate.
Me ndryshimin e orës, tani do të shijojmë më pak dritë, por të paktën ditët e para të kohës diellore, do të duket si një orë shtesë e gjumit.
Ndryshimi i orës bëhet dy herë në vit, në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit me qëllim shfrytëzimin sa më mirë të energjisë diellore. Ndryshimi nuk është i njëjtë në të gjithë botën, pasi ka vende që nuk e aplikojnë atë.

Foto ilustruese

Ky fund i tetorit 2019 mund të jetë një nga ndryshimet e fundit të historisë. Në Europë së fundmi ka pasur një debat të nxehtë për ndryshimin e orës, një debat që ka krijuar shumë konfuzion.
Në shkurt të 2018-ës disa eurodeputetë nga vendet Lindore dhe Veriore, Finlanda në radhë të parë, propozuan heqjen e kohës së verës, por kërkesa u refuzua nga Parlamenti i BE-së.
Në fund të gushtit të të njëjtit vit, Komisioni Evropian rishfaqi propozimin, duke përfshirë miliona qytetarë të shprehen për lamtumirën e ndryshimit të kohës dy herë në vit, përmes konsultimeve popullore.
Presidenti Juncker më pas theksoi se në të ardhmen do të jetë koha e verës që është rregull, dhe për këtë arsye përfundimisht do të jetë koha diellore që do të shfuqizohet. Në çdo rast, çdo shtet i vetëm i BE-së do të vendosë nëse do ta pranojë ose jo kohën diellore, saktësisht siç ndodh tashmë, pasi është një zgjedhje sovrane që është në kompetencën e secilit komb.
Që kur ndryshon koha?
Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë