Ka ndodhur

Nënë e bijë gjenden pa jetë në banesë në Korçë, dyshohet për shkaqe natyrale

Gazeta Si - Dy gra, nënë e bijë, janë gjetur pa jetë sot në qytetin e Korçës. Viktimat, sipas njoftimit të policisë, janë Eleni dhe Ornela Vangjeli, përkatësisht 74 dhe 54 vjeç.

Sipas policisë, dyshimet e para janë se dy gratë kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale, por duhet pritur ekspertiza. Ato nuk kanë pasur shenja dhune në trup dhe mendohet se kishin ndërruar jetë prej 4 ditësh. Ornela, 54 vjeç, mund të ketë pësuar atak, kurse nëna e saj, e paralizuar, ka ndërruar jetë më pas për shkak të mungesës së ilaçeve.

Ornela Vangjeli

Vëllai i Ornela Vangjelit erdhi nga Greqia, ku jeton, pasi motra dhe nëna i nuk përgjigjeshin në telefon.

‘Më datë 01.02.2024, rreth orës 16:42, në lagjen nr.17, Korçë, në banesë janë gjetur pa jetë, pa shenja dhune shtetaset E.V., 75 vjeçe, dhe vajza e saj O.V., 54 vjeçe. Nga të dhënat e para, rezulton se këto shtetase nuk u ishin përgjigjur në telefon familjarëve të tyre prej disa ditësh.

Dera e banesës së tyre është hapur nga shërbimet e zjarrfikësve, pasi ishte e kyçur nga brenda. Paraprakisht dyshohet se këto dy shtetase mund të kenë humbur jetë për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të humbjes së jetës së këtyre shtetaseve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes, - thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë