Gazeta Si – Nëndrejtoresha e shkollës profesionale dhe teknike në Tiranë, ”Harry Fulz”, Brikena Baxhaku ka dëshmuar për 2 orë në SPAK, në lidhje me kallëzimin ku pretendohet se drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka falsifikuar diplomën e gjimnazit.
Ajo dha shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit. Baxhaku doli nga SPAK pas 2 orësh dëshmi dhe nuk dha detaje, por pranoi që ishte thirrur për çështjen e Belind Këlliçit.
Më herët Këllçi është kallëzuar në SPAK nga avokati Idajet Beqiri, pasi dyshohet se ka falsifikuar diplomën e gjimnazit.
Më 26 dhjetor 2024 Këlliçi u mor në pyetje nga SPAK për mbi 2 orë, duke dhënë llogari për falsifikim dokumentesh, përfshirë atë të diplomës së gjimnazit dhe mosdeklarim të pasurisë së bashkëjetueses.
Pas daljes nga Prokuroria, Këlliçi mohoi pretendimet se ka bërë deklarim të rremë lidhur me diplomën e shkollës së mesme.
“Nuk jam një person anonim që nuk me njeh askush. Mund të shkoni të shikoni dëftesën e 8-vjeçares dhe të shkollës së mesme dhe të kuptoni se kush është Belind Këlliçi. Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës sime. Një nga krenaritë e mia të jetës është që kam denoncuar korrupsionin që ndodh çdo ditë në Bashkinë e Tiranës. Është një nga aferat më të mëdha korruptive në Evropë”, tha ai fundvitin e shkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.