Media Galeri

Në Tiranë mbahet Parada e Krenarisë

Në Tiranë u mbajt këtë të shtunë Parada e Krenarisë. Dhjetëra pjesëtarë dhe përkrahës të komunitetit LGBT+ (homoseksualë, lesbike, biseksualë dhe transgjinorë) marshuan me flamuj me ngjyrat e ylberit, nën shoqërimin në distancë të policisë në rrugët kryesore të kryeqytetit. Disa nga pjesëmarrësit mbanin pankarta ku shkruhej “ne jemi familje”, që ishte edhe parulla kryesore e këtij organizimi.

Edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe Zëvendës Ambasadori Demian Smith iu bashkuan Marshimit të Krenarisë LGBTI+ në bulevardin e Tiranës për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë në Shqipëri për të përkrahur të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë njerëzve për të jetuar me dinjitet. “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë personat si parime kushtetuese që vazhdojnë të udhëheqin diplomacinë amerikane. Presidenti Biden publikoi këtë vit Memorandumin për Përparimin e të Drejtave të Njeriut të Personave Lezbike, Homoseksualë, Biseksualë, Transgjinorë, Queer dhe Interseks anembanë botës”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë