Komunitet

Në Thumanën, tashmë të asgjësë…

Nga Sorgena Leka - Një vit mbas tërmetit të 26 nëntorit kalova nëpër Thumanë. Një fshat me rreth 7000 banorë që kishte qenë i qetë, deri në mëngjesin që i ndryshoi historinë. Për çudi, po të mos kisha ndjesinë e kohës, do të mendoja se jam disa ditë mbas datës 26, apo ndoshta kisha unë pritshmëri të larta duke dëgjuar edhe 1001 premtimet e bëra për ndërtimin e Thumanës.

Ka gërmadha kudo, gati-gati njësoj si mëngjesin e 26 nëntorit, me të vetmin ndryshim se tashmë nuk dëgjohen më njerëz që bërtasin, qajnë dhe mallkojnë ekzistencën e tyre kur shikojnë familjarë a miq që nxirren të vdekur nga dhomat e tyre të gjumit, tashmë të bëra 2 grusht beton...

“Njerëzit e pallateve”, siç banorët e Thumanës quanin ata që jetonin në pallat ishin një familje e madhe, ku mblidheshin çdo paradite dhe pasdite te ura e vogël në cep të rrugës. Aty nuk kishte më asgjë dhe vetëm dikush që ka jetuar në atë zonë arrin ta kuptojë se në çfarë vendi ka qenë ura. Ndërkohë që ecnim me Dodën, një prej banorëve të atij fshati, na tregon gjithçka duke filluar nga historitë e çdo viktime, nga sakrificat e tyre për të mbijetuar deri te dashuria e tyre për jetën.

“I njihja të gjithë. Ne këtu njihemi me njëri-tjetrin dhe në një moment të jetës, të gjithë kemi pasur nevojë për njërin nga banorët këtu.” tregon ai me një shikim që e mban larg dhe është e vështirë të kuptohet nëse e ka një mënyrë për të hutuar veten dhe mos qarë apo hedh shikim larg, humbet ndërkohë që mendon çdo njeri që ka ndërruar jetë.

Ka diçka në atë Thumanën e vogël. Diçka që është e vështirë të kuptohet nga njerëzit që nuk kanë jetuar aty. Trishtohesh kur ecën dhe shikon zemrën e fshatit të shkatërruar, pa jetë dhe totalisht bosh. Trishtimi shtohet kur të kujtohet se ka kaluar plot një vit e njerëzit nuk janë kthyer akoma në vendin e tyre.

K.N është një ndër banoret që fatmirësisht është mirë, por ka humbur shtëpinë pasi është një ndër “njerëzit e pallateve”. Është e vështirë të flasësh me të pa përjetuar emocione të forta edhe pse ajo mundohet ta tregojë çdo gjë me një gjakftohtësi për ta pasur zili, madje ka dhe një buzëqeshje që, e sigurt, e ka si një mënyrë për të fshehur dhimbjen.

Ajo mund të jetojë tek vajza e saj në Itali, por nuk do. Ka zgjedhur të qëndrojë aty, me qira.

“Ndenja tek vajza deri kur arrita të gjej shtëpinë. Të nesërmen kam ardhur direkt në Thumanë. Është vendi im, njerëzit e mi” tregon ajo.

Doda na tregoi se si kjo banore ka shumë.

Liza është një ndër to. Që ditët e para të tërmetit asaj i kanë ofruar të jetojë diku tjetër me qira dhe përgjigjja e saj e parë ka qenë “jo”. Pse? Nuk do të largohet nga aty edhe pse ka frikë se mund të ketë një tjetër tërmet.

“Kam shume frikë se nuk i dihet çfarë ndodh por s’dua të largohem. Kam një jetë tani këtu dhe siç i thonë, më kanë zënë kockat këtu.” tregon ajo, krenare për zgjedhjen e saj.

“Duam të rrimë këtu. Kemi njëri-tjetrin dhe aq sa kuptohemi bashkë, nuk na kupton asnjeri tjetër” tregon Doda.

Bisedën tonë e ndërpresim herë pas here pasi ka shumë zhurmë, si të mos mjaftonte gjithë grumbullimi i emocioneve të ndryshme. Në “zonën e tërmetit”, pak larg nga pallatet që u shembën, ku po ndërtohen shtëpite individuale ka një zhurmë deri diku të bezdisshme, ndoshta dhe sepse nuk shkon me atë vend.

Këdo të takosh, do të të flasin vetëm për tërmetin dhe të gjithë flasin për përjetimet e tyre, ndjesitë e para dhe ditët në vazhdim. Është e vështirë ti dëgjosh dhe vetëm kaq.

Doda po na tregonte për Albertin, kryefamiljarin e familjes Cara, i vetmi që shpëtoi nga gjithë familja.

“Është e pabesueshme. Kur e takova për herë të parë qaja për fatkeqësinë e tij e ai ndërkohë më tha: “pse qan, kjo paska qenë jeta, disa ikin e të tjerët kanë detyrën e vështirë të vazhdojnë rrugëtimin”! Nuk po arrija të kuptoja asgjë, ishte ai që kishte humbur gjithë familjarët e tij e ndërkohë po më jepte kurajo mua që po qaja për fatkeqësinë që i kishte ndodhur” tregon Doda dhe këtu nuk ka më kohë të hedhë shikimin larg pasi lotët u treguan më të shpejtë dhe rodhën.

Vazhduam të ecnim dhe tashmë ishim në qendër ku siç pritej, kishte gërmadha kudo por këtë herë, jo për shkak të tërmetit. Janë ndërtesat që janë prishur si pjesë e planit të rindërtimit, para pak ditësh, siç na thanë dhe disa të rinj që po qëndronin aty pranë. E çuditshmja është se duket sikur tani janë mësuar me atë gjendje, e kanë pjesë të jetës së tyre sepse asnjë nuk u ankua, asnjë nuk përmendi shkatërrimin që vihej re mjaft mirë dhe kjo është e trishtueshme. Të jetosh aq gjatë në shkatërrim sa të shihet si diçka normale. Ashtu e shohin banorët e Thumanës vendin e tyre. Nuk ka asgjë dhe prap duan të jetojnë në atë asgjënë... Forcë kur nuk ka mbetur asnjë alternativë tjetër  apo dashuri për vendin e tyre edhe pse në atë gjendje? Nuk e dimë, nuk e di askush.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë