Politike

‘Në të ardhmen, mbledhje mes dy qeverive’, Kurti në Shqipëri për festat e Nëntorit por s’komenton nëse takon Ramën

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në 28 nëntor në nder të 111 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, do të vizitojë Vlorën, ku do të bëjë homazhe në nderim të dëshmorëve e heronjve që sakrifikuan jetën për liri.

I pyetur për një mbledhje të mundshme mes dy qeverive shqiptare, Kurti është shprehur i sigurtë që në të ardhmen do të ketë të tilla, por nuk ka përcaktuar asgjë.

 “Sigurisht se do të kemi edhe mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ndërkaq, unë sonte do të jem në Tiranë, për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do të japin edhe çmimet përkatese. Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për panumër dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar.

Deri më tani kemi 184 marrëveshje dhe nuk ka asnjë qeveri në Kosovën e pavarur e cila ka bërë më shumë marrëveshje dhe zbatim të tyre sesa kjo e jona për rreth 2/3 e mandatit”, tha ai.

Nuk dihet po ashtu nëse Kurti do të takohet me kryeministrin Rama, pasi ai nuk komentoi asgjë, kur u pyet për diçka të tillë. Komentet, Kurti i bëri pas pjesëmarjes në Forumin e Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri që u mbajt në Gjakovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë