Shendet

Në Shqipëri u dha si zgjidhje anti-Covid, por SHBA e ndalon terapinë e plazmës

Përmes një videoje në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu prezantoi të mërkurën krijimin e Bankës së Gjakut në QSUT, që do të ndihmojë në kurimin e personave të sëmurë me Covid-19 me atë që njihet si terapia e “plazmës konvaleshente”.

Sipas disa studimeve të mëhershme, që kjo terapi të funksionojë duhet që personi dhurues i gjakut të jetë shëruar plotësisht nga Covid-19 dhe të paktën 28 ditë pas asnjë simptomë të sëmundjes.

Ministrja Manastirliu tha se ky është një tjetër hap në planin e Shqipërisë për përballimin e sëmundjes. Por, sipas një vendimi të fundit të autoriteteve amerikane, investimi i Shqipërisë për terapinë me plazmën konvaleshente mund të rezultojë, në rastin më të mirë me pak dobi dhe në rastin më të keq aspak frutdhënës.

Javën e kaluar, kur Administrata e Ushqimit dhe Barnave po përgatitej që të autorizonte me emergjencë përdorimin e plazmës konvaleshente për kurimin e Covid-19, një grup zyrtarësh të lartë të shëndetësisë amerikane ndërhynë duke e ndaluar, duke argumentuar se nuk ka të dhëna të mjaftueshme se kjo terapi është e suksesshme. Autorizimi mbetet ende pezull dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të lëshohet në të ardhmen e afërt.

Plazma konvaleshente, që dhurohet nga personat që e kanë mposhtur sëmundjen, konsiderohet e sigurtë dhe vetë Presidenti amerikan, Donald Trump e ka cilësuar atë si “një përbërës të bukur që rrjedh në venat e atyre që i kanë mbijetuar Covid-19”.

Por çfarë i shtyu zyrtarët amerikanë që ta ndalojnë këtë terapi? Së pari, New York Times shkruan se testimet klinike nuk kanë provuar ende nëse plazma ndihmon në luftën kundër virusit. Disa zyrtarë të lartë të shëndetësisë amerikane, si Clifford Lane, Francis Collins dhe Anthony Fauci u kërkuan kolegëve të tyre në Administratën e Ushqimit dhe Barnave që të mos e lëshojnë autorizimin, duke cituar rezultatet e studimit më të madh të plazmës të kryer nga “Mayo Clinic”.

Sipas Lane, Collins dhe Faucit, të dhënat e deritanishme nuk janë të mjaftueshme dhe duhet të pritet një analizë më e detajuar e këtij studimi. Askush prej tre zyrtarëve amerikanë nuk jep më shumë detaje, por në një pjesë të mediave në SHBA thuhet se autoritetet i druhen një efekti të kundër të kësaj kure.

Në disa artikuj qarkullon ideja se në një pjesë të mirë të personave të vlerësuar si të shëruar nga Covid-19 rrezikon mundësia që të ekzistojnë ende gjurmë të virusit, të pakapshme nga analizat. Kjo do të thotë se në përpjekjen për të shëruar një pacient të sëmurë aktiv me Covid-19, përmes plazmës gjendja e tij të përkeqësohet, pasi ekziston rreziku i shtimit të sasisë virale përmes kësaj terapie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë