Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas lajmit të publikuar se SPAK ka sekuestruar 5.512 m2 truall në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshortit të saj.
Gjatë reagimit të saj, Xhaçka ka konfirmuar lajmin madje duke njoftuar se ka disa javë që është sekuestruar një pjesë e investimit, ndërsa është marrë me Sali Berishën, kur ky i fundit foli për këtë çështje, i pyetur në fakt nga një përfaqësues i medias.
“Një kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral.
Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese të kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë.
SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund!”, shkruan Xhaçka
Më herët, Berisha në një konferencë për shtyp tha:
“Ti krahason Artan Gaçin që ka marrë si investitor strategjik qindra mijëra metra tokë publike dhuratë nga ministrja strategjike, me Begejt dhe Malltezin që mori tokën e vet mbas 15 vitesh të konfiskuar nga regjimi komunist. Nuk mund të ketë krahasim. Mbështes çdo veprim të organeve ligjzbatuese, çdo zbatim ligji, por të ndershëm”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.