Lojëra me Dore

Në Roland Garros fryn era e veriut, derbi skandinav Rud-Rune në çerekfinale

Gazeta Si - Kasper Rud dhe Holger Rune janë kualifikuar për në çerekfinale të Roland Garros. Do të kemi një derbi skandinav për një vend në gjysmëfinalen e turneut prestigjioz.

Në tokën e kuqe franceze, Rud mundi 7-6, 7-5, 7-5 kilenin Nikolas Jarri, kurse danezit Rune iu deshën 5 sete për të eliminuar 7-6, 3-6, 6-4, 1-6, 7-6 argjentinasin Francisko Çerundolo.

Kasper Rud kaloi pa probleme në çerekfinale, falë një suksesi në 3 sete ndaj Nikolas Jarri. Ai do të përballet me Holger Rune, i cili vuajti jo pak për të mposhtur Francisko Çerundolo. U desh ‘super tie-break’ (10-7) i setit të 5-të, pas të parit të fituar 7-3.

Argjentinasi iu përgjigj dy herë avantazhit të numrit 6 në botë, me 6-3 të setit të dytë dhe 6-1 të të katërtit. Danezi do të shkojë në çerekfinale më pak i çlodhur se Rud, sepse iu deshën më shumë se 4 orë për kualifikimin. Më parë Novak Gjokoviç dhe Stefanos Tsitsipas ishin kualifikuar pa vështirësi.

Te femrat ka kaluar më tej Ons Jabeur, kokë serie numër 7, që eliminoi Bernarda Pera. Tuniziania, finalist e Uimbëlldonit, u kualifikua me 2 sete, 6-3 dhe 6-1, pas 1 orë e 3 minutash. Tani do të ndeshet me brazilianen Beatriz Hadad Maia, e cila vuajti më shumë nga sa mendohej për të mundur spanjollen Sorribes Tormo.

E arriti objektivin edhe Koko Gauf, me një 7-5, 6-2 ndaj Ana Karolina Shmiedlova, numri 100 në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë