Analize

Në Maqedoninë e Veriut, ekspertët i frikësohen luftës civile

Ndërkohë që shqiptarët po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në drejtimin e shtetit në Maqedoninë e Veriut, vendi fqinj është përfshirë në tensione të reja etnike, duke rikthyer kujtimet e luftës civile së vitit 2001 dhe aktet e urrejtjes.

Incidenti i fundit ndodhi gjatë fundjavës në një lagje të Shkupit, ku një grup të rinjsh maqedonas brohoritën thirrje ofenduese ndaj komunitetit shqiptar, fraza të tilla si: “shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”. Brohoritjet ndodhën gjatë kohës që në rrugë po kalonte një kolonë makinash me dasmorë shqiptarë, që kishin stolisur makinat e tyre me flamurin kombëtar shqiptar.
Incidenti u shmang, ndërsa më pas policia njoftoi për ndalimin e 16 personave, të rinj me kombësi maqedonase. Një javë më parë thirrje të tilla u hodhën edhe në qendër të Shkupit.

“Bëhet fjalë për dy raste për të cilat do të bëhen kallëzime penale. Janë vërtetuar identitetet e pjesëmarrësve në këto raste. Ministria e Brendshme ka zero tolerancë për veprime të këtilla, kështu që do të punohet në mënyrë intensive”, deklaroi Suzana Praniq, zëdhënëse e MPB-së.

Por për analistët politikë në Maqedoninë e Veriut, kjo nuk është e mjaftueshme. Një sërë ekspertësh i kanë bëjnë thirrje kryeministrit Zoran Zaev, i cili po qeveris me partinë më të madhe shqiptare, BDI-në dhe Lëvizjen Besa, për reagime të shpejta përpara se këto akte te kthehen në incidente të dhunshme ndër etnike. Sipas Kodit Penal në Maqedoninë e Veriut, gjuha e urrejtjes është e dënueshme nga një deri në pesë vite burg.

“Maqedonasit të shfaqin emocione dhe urrejtje ndaj shqiptarëve dhe kjo vjen për shkak të pozitës dominuese që kanë në të gjitha nivelet e shtetit. Historikisht shteti maqedonas nga viti 1944 ka ushtruar dhunë dhe ka nxitur grupe të caktuara qoftë edhe nëpërmjet politikave publike për t’i urryer shqiptarët. Aktualisht qeveria e koalicionit Zaev-Ahmeti-Kasami nuk po bën gjë në këtë drejtim dhe kanë dështuar të parandalojnë aktet e urretjes. Institucionet nuk veprojnë ndërsa liderët tanë nga pushimet verore dhe postet ministrore nuk kanë kohë të kërkojnë zgjidhje rreth problemeve shqiptaro-maqedonase”, thotë analisti Selim Ibraimi. “Zaevi-Ahmeti dhe Kasami bashkë me liderët tjerë nuk janë të interesuar për qytetarët dhe jetën e tyre por vetëm për pushtetin e tyre. Qytetarët të jenë vigjilentë dhe të mos bien pre e provokimeve publike të grupeve radikale dhe shoveniste. Kështu në Europë nuk shkohet dhe jemi larg barazisë”, thekson ai.

Politologu Ariton Rama thotë nga ana tjetër se për komunitetin shqiptar është thelbësore të shohin masat ndëshkuese ndaj sjelljeve të tilla huligane sepse mosndëshkimi mund të sjell dhe luftë civile. Sipas tij grupi “Komitët” nuk është më një klub futbolli, por një grup huliganësh që nxisin urrejtje.

“Zgjidhja e problemit padyshim fillon nga përcaktimi i problemit. Mendoj që të tilla provokacione nga huliganët e Komikëve, ku nuk kursehet fëmija ,familja ,feja dhe kombësia janë tema tejet të ndjeshme. Injorimi i këtyre elementeve çojnë deri tek nisja e një lufte civile dhe që në fakt vështirë të kontrollohet. Këto raste nuk duhet të nënvlerësoheshin për një shtet serioz”,thotë ai në një deklaratë në për mediat shqiptare në Shkup.

Reagimet për aktet e urrejtjes së grupit “Komitët”, ishin të shumta si nga opinioni ashtu edhe nga opozita shqiptare

“Sjelljet e Komitëve e kanë burimin tek sistemi, që u jep fuqi dhe përkrahje, pavarësisht kush është në pushtet. Për sa kohë sistemi nuk i dërgon prapa hekura këta huligan, fenomene te këtilla s’do të kenë të ndalur!”, thotë Aleanca për Shqiptarët në një deklaratë.

Ziadin Sela i lidh aktet e fundit me ndihmën që qeveria i jep grupiy “Komitët”, të cilët sipas tij, janë jo thjesht tifozët ultras së skuadrës së Vardarit, por edhe elementë paramilitarë për sherret nacionaliste në gjithë këto 30 vite.

“Komitët” si tifo grup i shërbejnë sistemit dhe janë po të njëjtit që shajnë e ofendojnë shqiptarët, edhe gjatë qeverisjes së Gruevskit me BDI edhe gjatë kësaj qeverisje LSDM-BDI”, deklaroi a.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë