Ka ndodhur

Në kërkim për vrasjen e Fridman Xhaferrajt, arrestohet në Tiranë 27-vjeçari

Gazeta Si – Lulzim Spahia, 27 vjeç nga Lushnja, është arrestuar këtë të mërkurë i shpallur në kërkim për vrasjen e Fridman Xhaferraj në qershor të vitit të shkuar.

Trupi i tij u gjet i hedhur në rezervuar disa ditë më pas, ku autorët e dyshuar Kristi Bixheku dhe Lulzim Spahia kishin tentuar të fshihnin gjurmët.

Policia thotë se Spahia mbante në makinë edhe një sasi kanabisi të gjetur pas kontrollit.

Fridman Xhaferraj u gjet i mbytur më 13 qershor 2021 në rezervuarin e Gjançit nga një banor i zonës.

Në trupin e 25-vjeçarit ishin konstatuar shenja dhune në trup dhe në kokë, madje ai u gjet me duar të lidhura, çka tregon se para vrasjes, ndaj tij është ushtruar dhunë fizike.

Xhaferraj dyshohet se u vra në Korçë dhe më pas u hodh në rezervuar, ndërsa shkak i vrasjes dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës.

Policia më parë kishte arrestuar Bixhekun dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar Spahijan si bashkëpunëtor në vrasje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë