Gazeta Si - Andrew Bode, i shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Papës në zonën e Selitës para dy vjetësh, është arrestuar në Memaliaj.
Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me RENEA-n, kanë prangosur 45-vjeçarin Bode, i cili cilësohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai u kap në Memaliaj dhe së bashku me të, në pranga u vu edhe një shtetas që e strehonte në banesë.
LEXO EDHE:
- Aleksandër Sadikaj përgjohej. Si i humbi arma në bujtinë dhe biseda me familjarët: Vriti të gjithë!
- Saga e hakmarrjes Papa-Sadikaj që solli valë ekzekutimesh, i përfshirë dhe Andrea Kalemi
Sipas policisë, Bode akuzohet për vrasjen e Edmond Papës në vitin 2022, e cila ka shkaktuar një sagë hakmarrjeje me disa të vrarë, e cila nisi me eliminimin me tritol të Aleksandër Sadikajt në qershor 2022, teksa po udhëtonte me makinë drejt Saukut.
Në kuadër të operacionit “Plani”, polica ka arrestuar edhe Adriatik Kalemin (Andrea), babai i të cilit u vra në një atentat në Memaliaj, vetëm pak javë më parë.
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit Edmond Papa”, njoftoi policia sa i përket arrestimit të Bodes.
Andrea Kalemit, iu gjet në banesë edhe një arsenal armësh dhe dyshohet se po përgatitej për ndonjë hakmarrje të mundshme pas vrasjes së të atit.
52-vjeçarit iu gjetën 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarakë, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 Euro, mbi 400 mijë lekë dhe 3470 dollarë.
“Shtetasi Andrea alias Adriatik Kalemi, 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, - njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.