Gazeta Si – Flobenc Meçja, i njohur edhe si Florenc Drini, është një ndër shtatë personat e arrestuar në operacionin e RENEA-s dhe policisë në një restorant në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës këtë të premte.
Meçja ishte i shpallur në kërkim për vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë, por edhe nga SPAK si pjesë e klanit “Çopja”.
Ai akuzohet si vrasës me pagesë i grupit dhe ka qenë i hetuar për vrasje me pagesë edhe në Vlorë.
Gjatë aksionit policor, atij iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje.
43-vjeçari Flobens Meçja alias Gega alias Drini ishte shpallur në kërkim nga SPAK pasi ndaj tij u cakutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
Por kush është Flobenc Meçja? 43-vjeçari nga Shkodra u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.
Emri i tij del në disa biseda në aplikacionin “SkyEcc” me Franc Çopjen, i cili i ofron 5 milionë euro për vrasjen e Erion Alibejt, i njohur me nofkën “Krymi”.
Gjithashtu, Çopja i ofron nga 1 milion euro për vrasjen e Arjan Spahiut (i ekzekutuar në Belgjikë), Aldo Bahos dhe Ilir Lloshit, të cilit i referohen me pseudonimin ‘Liçe’, ku Flobenc Meçja është shprehur i gatshëm të kryejë vrasjet.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, më datë 27 korrik 2020, Flobenc Meçja komunikon me Franc Çopjan, të cilit i thotë se “shoku i tij në Shqipëri është Ok me punën dhe se tani do marrë dhe konfirmimin e personit që ndodhet jashtë Shqipërisë. Unë them që do bëjmë ndonjë punë. Ky shoku këtu është ok. Tashi do pyes dhe atë lart. Pastaj do të them që ça do bëjmë. Do i them çmimin që më the. Po s’ka gjë që s’bëhet. Mund t’i japim edhe lekë shtetit dhe e kryejnë ato. Ka alternativa se me atë çmim që më the ti…. e vejmë drejtorin e policisë vetë ne hahahha; A kupton çfarë bën leku këtu’”, – thuhet në një nga përgjimet mes të dyve.
Në fakt, Franc Çopja ndodhet në paraburgim në Belgjikë për llogari të drejtësië belge pasi u ekstradua nga Dubai, i akuzuar si drejtues i një grupi të fuqishëm kriminal të narkotrafikut ndërkombëtar me degëzime edhe në Shqipëri.
Vëllai i tij, Hajdar Çopja, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, dyshohet se fshihet pikërisht në Dubai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.