Rend dhe Ligj

Dorëzohen në polici vëllezërit Kreshnik dhe Erneo Farruku, të akuzuar për grup kriminal dhe trafik droge (lidhja me ish-deputetin Çyrbja, arratia nga burgu, atentati)

Gazeta Si- Vëllezërit Kreshnik dhe Erneo Farruku, respektivisht 51 dhe 37 vjeç, krerët e grupit kriminal të ashtuquajtur “Klani Farruku”, janë vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit.

Ata kërkoheshin nga autoritetet spanjolle dhe italiane, pasi dyshohen për akuzën e “trafikut të drogës”. Dy vëllezërit Farruku, u vetëdorëzuan mbrëmjen e të hënës në Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Prokuroria e Breshias ka firmosur urdhërarrest për Farrukun duke ngritur dyshime se Kreshnik Farruku është kreu i një grupi kriminal që merrej me trafikim e lëndëve narkotike, së bashku me vëllain e tij.

Operacioni u zhvillua në Shqipëri dhe në Itali. Në vendin tonë hetimet u drejtuan nga SPAK. Pas dorëzimit, autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe procedurat përkatëse, ndërsa do të përballen me akuzat për të cilat ishn në kërkim.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasit K. B. alias K. F.(K.), 51 vjeç dhe E. F., 37 vjeç (vëllezër), të dy banues në Durrës, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Këta 2 shtetas janë vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre, në Itali”, – njofton policia.

Lidhja me ish-deputetin Jurgis Çyrbja

Emri i Kreshnik Farrukut. doli së fundmi edhe në përgjimet e “Sky Ecc” në dosjen e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja.

Nga bisedat e transkriptuara nga aplikacioni i zbërthyer nga autoritetet franko-belge, doli se ish-deputeti i jepte informacione sekrete të kërkuarit Kreshnik Budlla.

Çyrbja e informonte që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

Kush është Kreshnik Farruku?

Kreshnik Farruku (Budlla) është një emër i njohur në botën e krimit, i cili ka përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë, teksa njihet më shumë si Kreshnik Farruku.

Në muajin maj të vitit 2019 ai është arrestuar në Spanjë, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit.

Budlla u prangos në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje nga policia, pasi kërkohej në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje po në Spanjë.

Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës.

Por pas hetimit, prokurorët spanjollë konkluduan se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, i cili mbeti i vrarë në një atentat në janar 2018 në Tiranë.

Arrestimi

Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me shtatë anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë me 20 kg kokainë që po përpiqej ta trafikonte në Itali me makinë.

Pas prangosjes së tij, ishte vëllai më i vogël, Erniu, që mori udhëheqjen e grupit, por u arrestua dy vjet më vonë në vitin 2012.

Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu ndërkohë që vijoi që të merrej me trafikun e drogës, derisa u arrestua në vitin 2019.

Atentati

Në vitin 2015 Kreshnik Farrukut iu bë një atentat në Shqipëri. Ai ishte në shoqërinë e kunatit të tij, Rinald Budlla, dhe të dy shokëve, kur është qëlluar me armë në zonën e “Don Boskos”, ndërsa u plagos një kalimtare. Pista asokohe lidhej me prishjen e pazareve të drogës në Itali, Spanjë dhe Holandë.

Sekuestrimi i pasurive

Ndërkohë që në vitin 2012 Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro preventive për pasuri të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milion euro në pronësi të tij. Sipas Prokurorisë këto pasuri dyshohej se ishin krijuar nga aktivitetet e paligjshme të tij dhe përdoreshin nga dy familjarët e tij, Reshit Farruku (babai) dhe Roland Farruku (vëllai të cilit iu bë një atentat në 2014 në Manëz), banues në Shijak të Durrësit.

Nga hetimet rezultoi se Reshit dhe Roland Farruku kishin blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kishin një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë që u sekuestruan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë