Analize

Në Itali, gati koalicioni kundër Salvinit

Italia duk se po shqyrton do skenar për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe për të përjashtuar Matteo Salvinin nga qeveria.

Lëvizja Pesë Yjet dhe Partia Demokratike janë tanimë pranë arritjes së një marrëveshjeje për të formuar një qeveri të re, nëse PD pranon të mbështesë Giuseppe Conten për të shërbyer një mandat tjetër si kryeministër.

Conte, i cili nuk i përket asnjë partie, por është më i afërt me Pesë Yjet dha dorëheqjen javën e kaluar pas rrëzimit të një koalicioni 14-mujor mes Pesë Yjeve dhe Lega Nord të Matteo Salvinit. Por përveç këtij të fundit, askush në Itali nuk dëshiron mbajtjen e zgjedhjeve.

Presidenti Sergio Mattarella i ka dhënë një shans Pesë Yjeve për të shmangur votimet duke formuar një koalicion të ri me PD-në. Javën e kaluar ai u tha atyre që të raportojnë përsëri deri të martën, por zgjati afatin me një ditë shtesë për të mërkurën.

Kryeministri italian Giuseppe Conte mbërrin në Pallatin Chigi në Romë, Itali, Gazeta Si, 27 gusht 2019.

Conte u kthye në Romë nga një takimi i G7 në Biarritz të Francës, për tu takuar në mbrëmje me liderin e Pesë Yjeve, Luigi Di Maio dhe kreun e PD-së, Nicola Zingaretti, me qëllimin e arritjes së një marrëveshje. Takimi në zyrën e Contes në Romë vazhdoi deri pas orës 11:45 të mbrëmjes.

Pesë Yjet po kërkojnë me çdo kusht rivendosjen e tij në krye të qeverisë italiane, por PD-ja është kundër këtij skenari, duke e ndërlikuar edhe më shumë arritjen e një marrëveshjeje mes dy partive.

"Ne po punojmë për t'i dhënë Italisë një qeveri të re … Unë mendoj se jemi në rrugën e duhur. Unë jam optimist " u tha Zingaretti gazetarëve pas një takimi të mbajtur me Di Maion gjatë ditës. "Ne duhet të hartojmë një buxhet për vitin 2020, i cili kërkoi formimin e një qeverie të re, serioze dhe autoritare" shtoi ai.

Mediat italiane shkruajnë se nëse Pesë Yjet dhe PD-ja arrijnë t’i kapërcejnë pengesat dhe bien dakort për rikthimin e Contes në pushtet qeveria e 67-të italiane që nga Lufta e Dytë Botërore mund të betohet në fillim të javës tjetër.

Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio, Gazeta Si, 27 gusht 2019

Një pengesë mund të jetë armiqësia dhe doktrina politike e Pesë Yjeve shumë prej mbështetësve të së cilës e shohin PD-në si simbolin e një institucioni të korruptuar italian të cilin Pesë Yjet duhet ta luftojnë.

Anëtarët dhe kryesia e partisë janë ata që vendosin për vendimet kryesore të të dyja lëvizjeve politike, por në këtë rast një veprim i tillë mund të shkatërronte potencialisht tërë marrëveshjen, duke e kthyer Italinë përsëri në kaos politik.

Kryesia e Pesë Yjeve është ndarë midis fraksioneve që favorizojnë një koalicion me PD dhe anëtarëve që besojnë se kjo do të shkatërrojë imazhin e partisë dhe do të përshpejtojë rënien e mbështetjes që ka pësuar gjatë vitit të kaluar.

Conte ishte një avokat praktikisht i panjohur kur ai u zgjodh nga Lega dhe Pesë Yjet për të kryesuar qeverinë e tyre pas një zgjedhje të marsit të vitit të kaluar. Ai tani është politikani më i njohur i Italisë.

Takimet me Presidentin

Salvini braktisi koalicionin e tij me Pesë Yjet, duke shpresuar se do të përfitonte nga popullariteti i partisë së tij në rast se mbaheshin zgjedhje të reja. Por bashkimi i Pesë Yjeve dhe PD-së do ta çonte Legan në opozitë.

Luigi Di Maio dhe Giuseppe Conte, Gazeta Si, 27 gusht 2019

Sipas kushtetutës, presidenti Mattarella mund të shpërndajë parlamentin vetëm nëse partitë nuk janë në gjendje të formojnë një qeveri të re. Ai ka bërë të qartë se nëse bisedimet dështojnë, do të shpallë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë.

Mattarella do të takohet me partitë e vogla në pallatin presidencial, përpara se të dëgjojë PD-në të mërkurën dhe të mbyllë më pas bisedimet me Pesë Yjet.

Nga frika se kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme do të dështojë dhe do të anashkalohet, Salvini është përpjekur pa sukses të ringjallë koalicionin e tij me Pesë Yjet. Salvini mbajti një konferencë shtypi të hënën për të dënuar marrëveshjen PD – Pesë Yjet.

"Ju mund t’i shpëtoni zgjedhjeve për një muaj ose një vit, por nuk mund t’i ikni për gjithnjë. Ata që kanë frikë nga gjykimi i italianëve nuk e kanë ndërgjegjen e qetë", tha ai.

Sondazhet sugjerojnë se Lega ka humbur 7 pikë që nga prishja e koalicionin qeveritar, megjithëse mbetet partia më e mbështetur e ndjekur nga PD dhe Pesë Yjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë