Ngjarje

“Ne i duam emigrantët!” Tre kryebashkiakë kundër Salvinit

Kryebashkiakët e tre qyteteve të mëdha italiane kanë refuzuar t'i binden ligji të ri kundër emigrantëve të hartuar nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini, duke e cilësuar si anti-kushtetues.

Salvini kërkoi dorëheqjen kryebashkiakëve “rebelë” të Firences, Palermos dhe Napolit, të cilët kanë kundërshtuar ministrin e brendshëm, duke marrë madje edhe emigrantët e bllokuar në det.

"Ky ligj nxit kriminalitetin, në vend që ta luftojë ose parandalojë atë," tha Leoluca Orlando, kryebashkiaku i Palermos. "Ai shkel të drejtat e njeriut. Ka mijëra, dhjetëra mijëra njerëz që banojnë ligjërisht këtu në Itali, të cilët paguajnë taksat, sigurimet shoqërore dhe brenda disa javëve ose muajve do të bëhen … të paligjshëm ", pohoi ai.

Ligji i ri kundër emigrantëve, i miratuar nga parlamenti italian më 28 nëntor 2018, e bën më të lehtë dëbimin e të sapoardhurve dhe për të kufizuar lejet e qëndrimit në vendin fqinj, i cili është kthyer përgjatë viteve të fundit në portën kryesore për emigrantët që kalojnë Mesdheun.

Matteo Salvini

Ai gjithashtu heq mbrojtjen humanitare për njerëzit vulnerabël, familjet ose gratë e vetme me fëmijë. Salvini i sugjeroi Orlandos "të përqendrohet me shumë tek problemet në qytetin e tij, por deklaratat e tij duket se ishin të kota përballë kryebashkiakëve që vendosën të rebeloheshin.

Kryebashkiaku i Firences Dario Nardella tha se qyteti i tij nuk do të përulet ndaj një ligji që "përjashton azilkërkuesit dhe pa siguruar riatdhesimin e tyre, i flak në rrugë".

Kryebashkiaku i Napolit Luigi de Magistris u zotua po ashtu se të gjitha nenet e ligjit që ishin antikushtetuese, si ai për të drejtën e azilit, nuk do të zbatoheshin në asnjë rrethanë.

Ai sfidoi edhe më tej Salvinin, duke shpëtuar 32 emigrantë të cilët ishin bllokuar në det të hapur, pasi u shpëtuan nga një OJQ, por nuk i lanë të uleshin në asnjë port në Europë.

"Shpresoj që të mbërrijnë sa më parë në portin e Napolit, sepse, në kundërshtim me atë që thotë qeveria, ne kemi nisur një plan shpëtimi. Unë do ta mbikëqyr vetë operacionin e shpëtimit, "tha ai në një radio lokale.

De Magistris akuzoi Salvinin se kishte "një gur në vend të zemrës", ndërkohë që edhe kryebashkiakë të tjerë i kërkuan qeverisë të rishqyrtojë ligjin e ri. Ministri i Brendshëm u përgjigj në Facebook, duke thënë ata që ndihmonin emigrantët e paligjshëm i "urrenin italianët”.


Luigi de Magistri

Kjo përplasje vjen pasi qeveria populiste e Italisë miratoi një paketë masash të reja kundër emigrantëve, duke e bërë më të vështirë marrjen e azilit dhe mbrojtjen humanitare. Sipas legjislacionit të ri, emigrantëve mund t’ju anulohen kërkesat për azil dhe të përballen me riatdhesim të menjëhershëm nëse janë të dënuar për krime si trafiku i drogës apo sulmet seksuale.

Një rregull tjetër do të vështirësojë pajisen e emigrantëve me mbrojtje humanitare, e cila siguron aktualisht një leje dyvjeçare për të qëndruar në Itali, për arsye specifike. Zakonisht kjo kategori përfshin emigrantët që kanë qenë viktima të shfrytëzimit të punës ose trafikimit të qenieve njerëzore, ata që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore ose ata që kanë ikur nga fatkeqësitë natyrore në vendin e tyre të origjinës. Përkufizimi për mbrojtjen humanitare deri më tani është interpretuar lirisht por mund të ndryshojë nga rasti në rast.

Dekreti dyfishon gjithashtu sasinë e kohës që emigrantët mund të kalojnë në qendrat e pritjes para se të riatdhesohen, duke e çuar në 180 ditë. Ndërkohë, një nga propozimet më të diskutueshme do të lejojë qeverinë populiste t’i heqë nënshtetësinë italiane dikujt që është shpallur fajtor për terrorizëm ndërkombëtar.

“Ky është një hap përpara për ta bërë Italinë më të sigurt,” tha ministri i Brendshëm Matteo Salvini në një postim në Facebook, duke shtuar se masat do ta ndihmonin Italinë “të jetë më e fortë në luftën kundër mafias dhe kontrabandistëve të drogës dhe të ulë kostot e emigracionit të pakontrolluar. Sipas tij Roma duhet të dëbojnë sa më shpejt kriminelët dhe “refugjatët e rremë “.

Por ligji është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si dhe nga ekspertët ligjorë, të cilët argumentojnë se legjislacioni bie në kundërshtim me kushtetutën italiane. Një prej tyre e quajti projektligjin e kabinetit qeveritar një “hap shqetësues”, që dobëson në vend që të forcojë politikat e autoriteteve lokale italiane.

Salvini ka premtuar ta forcojë ndjeshëm politikat e emigracionit që nga marrja e detyrës, duke mbyllur disa herë portet italiane për anijet që transportonin emigrantët e shpëtuar në Mesdhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë