Dosje

Në hetim si pjesë e trafikut të drogës, Italia sekuestron rreth 6 mln euro pasuri të biznesmenit shqiptar

Gazeta Si – Biznesmenit shqiptar Gëzim Sallaku, autoritetet italiane në Breshia i kanë sekuestruar një pasuri me vlerë rreth 6 milionë euro, pasi është i dyshuar dhe nën hetim për veprimtari të paligjshme.

Sekuestrimi, sipas mediave italiane, erdhi për shkak se gjatë hetimeve, autoritetet italiane zbuluan se jeta që ai bënte, pronat që kishte, si edhe sjellja e tij, ishin në disproporcion me të ardhurat e deklaruara, duke bërë që të dyshonin për të ardhura të tjera nga burime jo të ligjshme.

Sallaku, ish-pronar i Darfo Calcio, skuadër e kampionatit të Serisë D në Itali, është dëbuar nga vendi fqinj në shkurt të vitit 2021 si person i padëshiruar dhe i rrezikshëm.

Në sekuestrim janë edhe vila në Sale Marasino dhe hotel Villa Kinzica, që i atribuohet Sallakut.

Në të njëjtën kohë, policia gjyqësore ka kryer kontrolle në shtëpi dhe lokale për transferim të dyshimtë vlerash monetare.

Mediat raportojnë se ka përfunduar edhe hetimi paraprak ndaj 69 personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, që shohin të përfshirë biznesmenin.

Në qershor të vitit 2021, autoritetet shqiptare i sekuestruan atij pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, në pronësi të tij, vëllait Saimir Sallakut dhe një personi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje biznesi.

Në atë kohë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sekuestron preventive për pronat e Gëzim Sallakut,  të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e tij, të cilat janë të regjistruara edhe në emër të shtetasve vëllait të tij dhe Rabi Kurtit.

Gëzim Sallaku është një emër i njohur për autoritet, ndërsa u dëbua nga autoritetet italiane më 19 shkurt,  pasi Policia e Breshias e konsideroi atë person të padëshiruar dhe të rrezikshëm.

Gëzim Sallaku së bashku me 4 vëllezërit është arrestuar në 2018 për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike. 

Ata u prangosën pas një operacioni anti-drogë që u finalizua me arrestimin e 22 personave.

Biznesmeni Gëzim Sallaku dhe dy vëllezërit e tij, Gazmir dhe Isuf Sallaku, u liruan më pas nga burgu. Ndërsa vëllai i tretë i Gëzimit, Taulant Sallaku vijon të mbetet i burgosur nën akuzën e përfshirjes në një organizatë narkotrafikantësh dhe armëmbajtjes pa leje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë