Gazeta Si – Për rreth dy orë e gjysmë (13:00 deri në 15:40), ish-ministri i Brendshëm, SaImir Tahiri ka dëshmuar si person në dijeni në SPAK mesditën e kësaj të hëne për çështjen e hetimit pasuror dhe pastrimit të parave.
Sipas burimeve, Saimir Tahiri po hetohet nga SPAK për disa transferta bankare dhe dhjetëra prona në Tiranë dhe fshatin Vishnje.
Gjithnjë sipas burimeve, mësohet se hetimet janë shtrirë dhe në personat familjarë të tij, bashkëshortja dhe kunati.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Tahiri nuk foli për mediat, ndërsa pyetjeve të shumta zgjodhi t’iu përgjigjet shkurtimisht: “Nuk kam asgjë për të thënë”.
LEXO EDHE:
– Dokumentari për narko trafikantët shqiptarë/ Saimir Tahiri para dënimit: S’jam i korruptuar, më vunë bombat!
– Ekskluzive/ Dosja e Prokurorisë. Diamantet, makina dhe skafi që lidhin Saimir Tahirin me Habilajt
– Ka gruan të sëmurë, lirohet nga qelia Saimir Tahiri. Dënimin e mbetur do e kryejë në shtëpi: Mund të dalë vetëm për nevoja familjare
Burime thanë se Tahiri është thirrur për të dhënë sqarime si person ndaj të cilit kryhen hetime rreth pasurisë, por jo vetëm.
Sipas burimeve më herët në kuadër të ketij hetimi SPAK, ka pyetur edhe disa biznesmenë me të cilet familjarët e ish ministrit Tahiri kanë patur transaksione financiare.
Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj prej muajsh heton Tahirin mbi pasurinë dhe burimin e krijimit të tyre, pas denoncime që kanë mbërritur në SPAK në lidhje me disa prona që janë blerë nga familjarët e tij.
Procedimi në fjalë është regjistruar disa muaj më parë teksa hetuesit kanë nisur verifikimet duke vënë në sitë të gjitha pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe llogaritë bankare të Tahirit dhe familjarëve të tij.
Prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë, institucione e agjenci të pronave për të verifikuar pronat e llogaritë bankare të ish-ministrit të Brendshëm, dhe transaksionet që ai ka kryer që prej kohës kur ai mbante detyrën dhe deri më sot.
Para rreth një viti, Tahiri, la qelinë e burgut, pasi ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Tahiri doli më herët nga burgu, kur kishte vuajtur 1 vit e gjysmë, ndërsa pjesën tjetër do ta kryente në banesë.
Sipas vendimit të marrë nga gjyqtarja e Elbasanit, Matilda Fetahu, shkaku kryesor i lirimit me kusht ishte fakti që bashkëshortja e Tahirit për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të kujdesej më për fëmijët. Dhe për këtë arsye, kujdestarinë për fëmijët duhet ta kryejë ish-ministri socialist.
Ish-ministri u dënua në shkurt të 2022 me 3 vjet e 4 muaj burgim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, me argumentin se kishte mbajtur kontakte me kushërinjtë e tij Habilaj, të cilët merreshin me kultivim dhe trafik të kanabisit në aksin Shqipëri-Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.