Filma

Në Golden Globe 2024 do të shpërblehet edhe filmi me fitimin më të madh

Nga viti 2024, Golden Globes do t’i japë një çmim edhe filmit që ka fituar më shumë para që nga publikimi i tij: për t’u nominuar, një film duhet të ketë fituar të paktën 150 milionë dollarë në mbarë botën (rreth 140 milionë euro), nga të cilat 100 milionë vetëm në tregun amerikan.

Filmat që janë publikuar vetëm në platformat e transmetimit gjithashtu mund të nominohen dhe do të vlerësohen në bazë të të dhënave të siguruara nga “burime autoritare në industrinë e filmit”.

Krahas kësaj kategorie do të shtohet edhe një tjetër në të cilën do të shpërblehet shfaqja më e mirë humoristike stand-up.

Golden Globes janë çmimet më të rëndësishme të filmit në Shtetet e Bashkuara pas Oscars: deri vitin e kaluar ato ndaheshin nga Hollywood Foreign Press Association (HFPA), e cila vitet e fundit kishte qenë në qendër të një sërë skandalesh që i kishin cenuar reputacionin.

Nga viti 2024 ato do të organizohen nga fondacioni jofitimprurës Golden Globe.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të jetë më 7 janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë