Më të mirat 2022

Në Finlandën e largët është një shqiptar kampion bote

Çollaku kujton për Gazetasi.al se merrte gjithmonë me vete një sëpatë që babai i tij kishte në shtëpi. Me të, priste degët pasi çekiçi ngelej gjithnjë nëpër pemë. “Pemët ishin nga 30 m të larta dhe unë kacavirresha, prisja degën që të binte çekiçi poshtë. Nuk kisha zgjidhje tjetër.”

Nga Gazeta ‘Si’ – Mosha e tij nuk konsiderohet aktive në sport.

Për shumëkënd, ajo është vija e finishit që tregon përfundimin e karrierës sportive. Për Dorian Çollakun, kampionin veteran të botës në hedhje me çekiç, është e kundërta.

“Një flamur fitimtar i Shqipërisë që ngrihej diku larg në Finlandë”, ishte kjo ëndrra e tij botërore që në fakt ai e realizoi në moshën 45 vjeçare duke u shpallur dy herë kampion në Kampionatin Botëror të atletikës për veteranë në Tampere të Finlandës.

Ndonëse e kanë kërkuar shpesh që të përfaqësojë shtetet nordike dhe Finlandën ku jeton prej shumë vitesh, Çollaku, medaljet e arit zgjedh t’ia dedikojë të gjitha Shqipërisë. Vendit të tij nga ku zuri fill pasioni dhe dashuria për këtë lloj sporti.

Dorian Çollaku ia atribuon arritjet e tij Shqipërisë

Të jesh sportist veteran ka vështirësitë e veta. Fiziku ndryshon ndër vite, fuqia nis të bjerë dhe trupi do më shumë kujdes. Megjithatë, këto sfida për Dorianin duken krejt të papërfillshme përballë pasionit të tij për këtë sport.

“Madje, as mungesa e kushteve dhe mbështetjes financiare nga Shqipëria nuk ia doli që të më bënte të hiqja dorë që në fillimet e mia kur e nisa këtë sport”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa flet me krenari për medaljen e artë në hedhjen e çekiçit, duke arritur rezultatin 60 metra e 90 centimetra. 

Vitet kur e ka nisur këtë sport ishin të vështira dhe tani kujton me nostalgji se atëherë sukses për të ishte dhe momenti kur ulej në mensë me sportistët më të mirë të Shqipërisë, kur nisi stërvitjen me klubin Dinamo.

“Isha 9 vjeç kur po shkoja sëbashku me vëllain në Qytet Studenti dhe pashë dy çuna që hidhnin çekiç. Mbeta i impresionuar. Që në atë moment e kuptova se cila ishte gjëja që doja të bëja në jetë dhe stërvitjen e nisa po në atë moshë”, rrëfen Çollaku për Gazetasi.al.

Në vitin ’89 filloi të trajtohej nga klubi Dinamo si sportist me perspektivë. Por Shqipëria në ato vite nuk kishte kënd hedhjesh.

“Ishin vite të vështira dhe të trazuara por nuk u dorëzova. Dola të hidhja çekiç nga asfalti. E di që nuk ishte një gjë normale”, vijon Çollaku për Gazetasi.al ndërsa kujton se merrte gjithmonë me vete një sëpatë që babai i tij kishte në shtëpi. Me të, priste degët sepse çekiçi ngelej gjithnjë nëpër pemë.

“Pemët ishin nga 30 m të larta dhe unë kacavirresha, prisja degën që të binte çekiçi poshtë. Nuk kisha zgjidhje tjetër. Nuk kisha as bazë materiale e as këpucë. Ishim shumë mbrapa sportistëve të vendeve të tjera”, kujton mandej ai.

Kampioni Dorian Çollaku, hedhje me çekiç

Në vitet 1994 e 1995 mori titujt kampion i të rinjve, ndërsa më 1996 kampion i të rriturve.

Një vit më pas mori rrugën për në Finlandë fill pasi profesori Vaso Selenica i tha se, në kushtet e një mungese të theksuar të bazës materiale, në radhë të parë të palestrës, – i detyruar të stërvitej jo në pedanë e në fushë, por në asfalt, – nuk do të mundte ta hidhte çekiçin jo më larg se 65 metra.

Në Finlandë karriera e tij bëri kthesë.

“Fitova medalje të ndryshme. Kisha shumë vështirësi vitet e para. U shpalla kampion tre herë në garat dimërore.

Në vitin ’99 isha në Suedi në Kampionatin Europian. Ajo ishte gara që konfirmoi se isha një ndër atletet më të mirë të botës në atë kohë. Pas asaj gare Federata Finlandeze më ndihmoi por mbështetja financiare nuk më mjaftonte. Kërkoja mbështetje nga federata në Shqipëri por nuk më ndihmuan”, thotë pak me trazim Çollaku.

Në vitin 2008, në një veprimtari sportive në Espo (pranë Helsinkit), theu rekordin kombëtar në hedhjen e çekiçit prej 75, 92, të vendosur më parë nga Ajet Toska. Doriani e çoi në 76.96 metra.

Çollaku ka fituar medalje të ndryshme

Në Finlandë, teknika e atletikës kishte shënuar kulme të reja. Një e tillë lidhej me përdorimin siç duhej të këmbës së djathtë, e cila cilësohej si “motori” i çekiçhedhjes pasi forconte muskulaturën dhe reflekset e kushtëzuara.

Iu tha se përdorimi i kësaj teknike nuk do të jepte fryte të menjëhershme, por vetëm pas një ose dy vjetësh.

Mori gjithë pushimin që i duhej ndërkohë që stërviste herë pas here jo vetëm të rinj por edhe sportistë veteranë deri në moshat 70 vjeçare.

“Një peng që më ka ngelur është fakti që nuk mund të vij në Shqipëri të stërvis atletët shqiptarë dhe të trashëgoj njohuritë e mia atje pasi nuk ka kushte. Stërvitja e veteranëve ndryshon shumë me atë të moshave të reja. Është një shkencë më vete pasi me ndryshimin  e moshës ndryshojnë shumë parametra në trupin e atletit.

Kjo është dhe arsyeja pse doja të eksperimentoja me trupin tim dhe të konkurroja si veteran”,thotë për Gazetasi.al Çollaku ndërsa shton se ndër vite do të marrë pjesë edhe në kampionate të tjerë.

“Rekordet do të jenë vetëm të Shqipërisë”, mbyll ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë