Mjedis

Në Fier vendoset platforma e parë për mbrojtjen e lejlekëve

Shoqëria Ornitologjike Shqiptare bën me dije se në një shtyllë të transmetimit të energjisë elektrike është ndërtuar platforma e parë artificiale për folezimin e lejlekut.
Lejleku (Ciconia ciconia) tashmë është një prej specieve më të rrezikuara në Shqipëri. Eksperti Erald Xeka i cili është marrë më së shumti me këtë situatë tregon se përpara 20 viteve lejleku ka qenë i kudondodhur në vendin tonë, duke pasur shumë fole, por për një periudhë shumë të gjatë u zhduk për shkak të ndryshimit të habitatit. Sipas ekspertëve ky shpend numëron vetëm gjashtë fole në të gjithë vendin dhe për këtë arsye duhen mbrojtur sa më shumë.
“Tashmë prej katër vjetësh është parë sërish dhe shtyllat elektrike mesa duket janë vend qëndrimi i tyre i preferuar. Në këtë mënyrë në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit ndërtuam një platformë artificiale që njëkohësisht të mbrojë lejlekët, por edhe të mos ndikojë në rrjetin elektrik,” shton Xeka.

Nga organizata thuhet se shtyllat elektrike shërbejnë prej vitesh si vende folezimi për Lejlekët dhe foleja e rrezikuar ndodhej që prej tre-katër vjetësh në shtyllën elektrike të tensionit të lartë, në veri-lindje të qytetit të Fierit. Foleja gjendej shumë pranë linjës së energjisë, duke i ekspozuar shpendët ndaj një rreziku të vazhdueshëm të elektroshokut. Gjithashtu, edhe rrjeti i transmetimit pëson avari teknike që shfaqen në formën e ndërprerjes së gjatë të furnizimit me energji elektrike.
Për të shmangur rrezikun platforma e ndërtuar u vendos rreth 50 cm më lart se ajo ekzistuesja, ndërsa materiali i folesë së vjetër u rivendos përsëri lart në mënyrë që lejlekët të jenë të sigurtë pasi të kthehen nga rrugëtimi i gjatë në Afrikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë