Treg

Në fermën e “egër” ku gjen edhe “qumësht dallëndysheje”

Sabina Veizaj - Ai mori katër kastravecë nga thesi i shtrirë për tokë brenda serës dhe i shtrëngonte fort në kraharor. Nuk mund tia merrnin as shokët, as mësuesit që e shoqëronin. Thonte se për to do të paguanin prindërit dhe se i donte, sepse në Tiranë nuk kishte kastravecë të mirë si ata që ai kishte ndër duar.

Fëmijët e "Kallz" në fermën e Hajdar Kuçit

Fëmijët e qendrës “Kallz” prej katër ditësh kampin veror po e zhvillojnë tek Ferma e Hajdar Kuçit në Marikaj.

Ata kanë lënë me dëshirë lodrat moderne, zhegun e Tiranës dhe janë zhvendosur pranë natyrës dhe impakti është i magjishëm.

Sapo zbresin nga furgoni ata lyhen me kremin e diellit dhe solucionin kundër insekteve dhe dëshirojnë ta mbajnë frymën drejt e tek kafshët. Por rregullat janë rregulla dhe së pari ata i pret mëngjesi.

Për të shkuar në mjedisin ku do të konsumojnë mëngjesin, fëmijët përshkojnë një copë rrugë duke u ngjitur mes pemëve, tentojnë të ngjiten tek shtëpiza e drurit në pemë, mandej vazhdojnë rrugën plot gjelbërim dhe lule dielli. Pak më tej shohin liqenin artificial përbri të cilit janë ndërtuar “kapanonet” prej druri ku ata do të ulen për të ngrënë krepat e ngrohtë me banane dhe mjalt nga bletët e fermës.

“Ky është viti i parë që ne kemi bërë një kamp veror specifik për në fermë, por që kur është hapur qendra dhe ne bëjmë kampin veror, ferma është pjesë e programit të kampit. Ky është viti i katërt që ne organizojmë një kamp veror, i cili nuk ka në fokus pishinat, apo vetëm lojërat sportive, por edukim dhe argëtim dhe mbi të gjitha afrimin e fëmijëve me natyrën. Rrjedhimisht në ekskursionet që bëjmë, i bëjmë në ferma, fëmijët informohen rreth natyrës, kafshëve, pemëve, perimeve dhe përfshihen në aktivitete fizike”- më shpjegon Albana Muçaj , themeluesja e Qendrës Multifunksionale “Kallz”.

Kallzi ka lindur prej 4 vitesh dhe ngasja ka ardhur nga i biri i Albanës, i cili “ kërkonte iphone dhe pushime në Dubai që në klasën e 5-të. Idea ishte një kundërpërgjigje ndaj qasjes së tim biri dhe gjithë fëmijëve të tjerë që kishin këto dëshira luksoze pa punuar. Mori një përgjigje shumë të mirë nga prindërit. Ne donim që fëmijët të preknin dheun me dorë, të bëheshin njësh më natyrën, tokën. Herën e parë që kemi bërë mbjellje, anëtarët e stafit u habitën që si ka mundësi Kristiani, djali im prekte dheun me dorë. Në fakt ai ka qenë ndër të parët që punonte”, tregon ajo.

Albana thotë që “Kallzi” që në ngjizje kishte dashurinë për fshatin, e cila u kultivua vit pas viti.

Por ngasja tjetër që i gjithë kampi veror këtë vit të zhvendosej në fermë, ka ardhur nga njëri prej fëmijëve të qendrës. “Një nga fëmijët kur e pyetëm: A ke parë ndonjëherë një lopë? Ai u përgjigj; po kam parë një lopë në Saffari Zoo në Itali. “Është fëmijë që është rritur në Tiranë, por që ka patur fatin të udhëtojë jashtë shumë, por nuk njeh fshatin”- më thotë Albana e cila vijon bisedën duke shpjeguar se ishte e bindur që një eksperiencë e tillë do shenjonte në jetët e fëmijëve.

Dhe me të vërtetë, fëmijët janë në mezipritje të përfundojnë mëngjesin dhe të shkojnë të vizitojnë serat dhe kafshët.

Nuk kanë frikë nga qentë edhe pse profesorët që i shoqërojnë gjejnë rrugën më të gjatë për të shkuar tek stalla e dhive me qëllim që të mos krijojnë ndonjë incident të mundshëm mes fëmijëve dhe qenit që qëndron i lidhur mes vendit ku janë dhitë dhe lopët.

“Fshati që ne zgjodhëm është pak larg dhe ka kosto të transportit, ushqimi është bio. Nëse unë dhe bashkëmoshatarët e mi mbajmë mend eksperiencën në fabrikë, për këta fëmijë mungon toka, pema, të shtrihesh në bar, të luash në natyrë të qetëson. Ajo që vë re mes fëmijëve tani, janë në tension dhe të stresuar nga mungesa e prindërve të cilët punojnë gjatë që tu sigurojnë një të ardhme të mirë. Natyra është një kompensim i shkëlqyer për ti relaksuar dhe edukuar; sa më afër natyrës dhe sa më larg përdorimit të pashëndetshëm të teknologjisë është më mirë”- më shpjegon Albana.

Kampi veror është planifikua me bazë javore dhe për grupmoshën 8 -13 vjeç. Çdo ditë fëmijët shoqërohen me furgon dhe 4 mësues (dy femra, dy meshkuj) drejt fermës në Marikaj. Pasi konsumojnë mëngjesin ata shëtisin në fermë ku informohen për bimët, lulet, kafshët, perimet e gjithçka ka aty. Vizitojnë kafshët, provojnë të mbjellin perime, kryejnë aktivitete sportive në natyrë, lojëra me ujë. Gjithashtu zhvillojnë biseda me tema të ndryshme në mjediset brenda për ti shpëtuar vapës, konsumojnë drekën dhe kthehen në Tiranë.

“Unë kam 15 vite që punoj si gazetare dhe e kam intervistuar në fermë Hajdra Kuçin gjatë punës time. Më ka bërë përshtypje xhenuiteti i kësaj ferme, çertifikimi bio. Është ajo që doja tu jepja fëmijvëve; jo një restorant luksoz, por të hanë edhe në bar. Të mos i marrin gjërat të mirëqena, sepse në jetë nuk të dhuron kush diçka, gjërat duhen ndërtuar me mund dhe sakrificë. Duke vënë veten në provë, të krijojnë. Dhe reagimi ishte surprizues. Jo më larg se sot kam marrë telefonata nga prindërit që duan ta zgjasin kampin në fermë dhe prindër të tjerë që duan të regjistrojnë fëmijët e tyre, madje dhe ata që duan të bëjnë kompromis për moshën duke sjellë fëmijë 6-7 vjeç”- më tregon Albana, e cila mendon që vitin e ardhshëm do ta zhvendosë kampin në periferi, në një zonë ku mbillet dhe ka kafshë, një kamp aktiv ku fëmijët të punojnë.

Ferma e Hajdar Kuçit

Ferma e Hajdar Kuçit ndodhet 20 kilometra larg nga Tirana, 17 kilometra nga Durrësi dhe 9 kilometra nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Hajdar Kuçi

Edhe pa marrë asnjë informacion në lidhje me të, kur hyn në atë mjedis, të duket sikur je pjesë e një perandorie natyrore. Në çdo kënd ta kthesh vështrimin, sheh vetëm gjelbërim, ndjen zhurmën e ujit që gurgullon, cicërima zogjsh, lehje qeni, sheh dhitë që kërcejnë gardhin, mandej kuajt dhe gomarin, mjete pune të fshatit, liqenin dhe kapanone druri ku mund të gjerbësh kafenë a të konsumosh një vakt ushqim, që me sytë e lodhur të një njeriu që jeton në qytet, këtë fermë e ndjen si parajsën në tokë.

Me Hajdarin, për ti shpëtuar zhegut të mesditës, jemi ulur tek muzeu Bujqësor që ai ka krijuar në fermë.

Ai më thotë se ka 25 vite që investon gradualisht në këtë hapësirë.
Tokat janë të të parëve të tij. Aty ka pas qenë një repart ushtarak të cilin Hajdari e privatizoi pas viteve “90 e sëbashku me pjesën moçalishte dhe tokat djerrë, ai vendosi të punojë për ta kthyer në një fermë bujqësore.
Ferma është gjithpërfshirëse. Serat me perime organike, të cilat vijnë prej farave të zgjedhura me kujdes dhe jo të modifikuara gjenetikisht. Hajdari bart çertifikatën për produkte bio.

5-6 hektarë ferma i ka toka ullishte, 7 dynym pemëtore (pjeshkë, kumbulla), vreshta, perime në sera, perime në fushë.

2 hektarë ullinj ose 600 rrënjë janë mbjellë në vende të ndryshme, më shpjegon Hajdari, jo në toka të frutshme, në toka djerrë të papërdorshme.

“Kam bërë sistem vaditjeje me pikë, me panel djellor. Kemi investuar prej vitesh nga pak dhe i kemi dhënë një formë fermës. Merremi edhe me blegtori. Ferma ka 100 krerë dhi të racës franceze, 3 lopë, 3 kuaj, gomar, pula, rosa dhe dhjetra pata. Bletë 50 koshere. Është një fermë e kompletuar”- më tregon Hajdari me qetësi, por pasioni dhe dashuria që i burojnë nga brenda i lexohen vetëm në sy.

Ai ka vetëm një shqetësim; kujt do ti mbetet ferma?

Hajdari ka dy fëmijë; vajza është diplomuar për ekonomi dhe punon në një kompani në Tiranë dhe siç tregon ai, ajo është e kënaqur dhe nuk ka ndërmend të merret me fermën.
I biri i Hajdarit është për studime në Gjermani dhe “me siguri do të gjejë një punë të paguar mirë e nuk do të kthehet më. Ata e duan fermën, por për pushime”- më thotë Hajdari.
Ai vetë është agronom dhe ka punuar në Dretorinë e Bujqësië në Tiranë, gjithashtu në AKU e aktualisht punon në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Por në mënyrë të rregullt ai i kushton fermës pesë orë në ditë; kontrollon punën e punëtorëve, merret me kafshët dhe punon edhe tokën vetë.

“Prej vitesh kam punuar me serat kryesisht, ku kam patur të punësuar 30-40 punëtorë. Por gradualisht nisi të bjerë tregu dhe e kam redukuktuar. Serat i kam shumë pak për treg, i konsumoj për cikël të mbyllur këtu, për turistë e miq e shokë që vijnë. Nuk dal më në treg sepse nuk ka më interes. Nuk shiten”- më shpjegon Hajdari dhe cepi i syrit diku ndanë murit më zë dy thasë plot me domate, e siç më shpjegon gjatë bisedës Hajdari, është mall që tepron.

Sot, më thotë ai, prodhimet bio janë më shumë problem se ato konvencionale. “Duhet të jenë më të shtrenjta, por nuk ka treg për to. Unë jam edhe i çertifikuar bio. Konsumatori ynë ka të drejtë të mos besojë tek ushqimet. Në treg gjenden edhe të mirat edhe të këqijat. Sistemet e kontrollit tek ne nuk janë në atë nivel sa të ndajnë të mirën me të keqen; etiketat, produkte të skaduara, të kontaminuara, etj. Të gjitha janë prezent në treg. Këto bëjnë që tregu të bjerë. Por më përpara goditjen e hanë të mirat se sa të këqijat. Dhe duke shitur nën kosto je i detyruar ta ulësh në maksimum prodhimin”.

Për Hajdar Kuçin, bujqësia është bërë shumë e vështirë. Këtu mund të prodhosh gjithçka, më shpjegon Hajdari, ka kushte ideale.

“Ne kemi investuar si për të përmirësuar teknologjinë e prodhimit, qoftë edhe kushtet e punës. Këtu ujin e kemi shumë të pastër, tokën e kemi, plehrat organike i kemi, natyrën e kemi të mrekullueshme. Tregu është finali. Po nuk shite, mos prodho kot”- thotë i keqardhur.

Ai flet me pasion për punët e fshatit, por me qetësi, ashtu siç ka investuar edhe në këtë hapësirë që sipas tij po ti mbledhësh të 25 vitet bashkë shkojnë mbi 300 mijë euro.
Por nuk ka mundur të hedhë një hap më shumë, që të bëjë një investim të madh të menjëhreshëm sepse siç më rrëfen e ka kapur pesimizmi dhe nuk ndjehet i sigurt, nesër mund të falimentojë.

Ajo që spikat në femrën e Hajdarit përpos të tjerave është pylli 30 metra i lartë.
“Fermën, kam bërë një gabim që nuk e kam fotografuar se këto 25 vjet që merrem është transformuar gjithçka. Qoftë nga pylli, qoftë bimësia. Unë pyllit nuk i kam bërë asgjë, i kam bërë vetëm një nder që nuk kam lënë kënd ta prekë me dorë dhe pylli nuk ka nevojë as për inxhinier, as për agronom, pylli rritet vetë. Pyllit mos i vër sëpatën dhe shkrepsen se rritet vetë”- thotë ai duke vijuar më tej bisedën: “Këtu nuk ka patur as ullinj, as vreshta”.

Pylli tek ferma e Hajdar Kuçit

Pyjet, shkurret, kulturat, bimësia e larmishme e bëjnë këtë terren të përshtatshëm për bletët dhe insektet e tjera të dobishme. Fermerët e tjerë përqark që përdorin spërkatje me pesticide për prodhimet e tyre që dëmtojnë bletët dhe insektet pa të cilat nuk do të kishim fruta.

Agronom Hajdari më tregon se me rritjen e pemëve dhe pyllit, të cilat i gjeti të prera dhe që i ka ruajtur të mos priten përreth liqenit ka rregulluar regjimin e ujërave. Nëse më parë, ujërat e shiut vërshonin drejt e në liqen ose në përrenj, tani edhe kur ka shira të rrëmbyeshëm duhen disa ditë që uji të shkojë në liqen. Madje niveli rritet ngadalë, shton ai. Shtresa organike e krijuar në tokë e thith ujin dhe e lëshon atë ngadalë. Erozioni shmanget jo vetëm sepse rrënjët e lidhin tokën, por edhe sepse forca e shiut zbutet nga gjethet dhe degët.

“Cilësia e ujit në liqen është përmirësuar dhe po ashtu, rritja e peshkut është më e lehtë” -më tregon Hajdari. Ai shfrytëzon edhe masën e gjetheve të rëna të pyllit për plehërim organik të arave dhe pemëtoreve, si dhe zbaton teknika të bujqësisë së qëndrueshme. Në vreshtat, në shpatet e kodrave, ai mbjell fasule, bishtaja si bashkëshoqërues të rrushit. Jo vetëm që merr prodhim, por bishtajoret bëjnë edhe plehërimin azotik të tokës. Në të njëjtën kohë ato ruajnë tokën e pjerrët nga erozioni dhe varfërimi e shpëlarja e lëndëve organike nga shirat.

“Unë marr prodhim natyral, ndoshta më pak në sasi, por bima nuk stresohet, toka nuk helmohet, dëmtuesit nuk fitojnë rezistencë, pra që herës tjetër të më duhet edhe një dozë më e madhe helmesh me efekt ndaj tyre më të vogël. Prodhimi shitet me çmim më të lartë, është i kërkuar gjithmonë nga tregu, madje kërkesa është shumë e madhe”- më sqaron ai.
Aktualisht ferma e hajdarit ka 1,5 ha vreshta. Çdo gjë është mbjellë në toka të abandonuara dhe janë bërë shumë mirë. “Edhe ullinj kam mbjellë në çdo vend, shkëmb, fushë”-thotë ai
Sot ferma prodhon 5 kuintal vaj ulliri, por në një të ardhme të shpejtë Hajdari pretendon që kur ullinjtë të hyjnë të gjithë në prodhim, të shkojë edhe 10-15 kuintal prodhimi i vajit të ullirit.

Ai do të instalojë një minifabrikë për prodhim të vajit në të ftohtë, bio, jo me temperaturë ku vaji mund të denatyrohet, por një presë e vogël me të ftohtë, nuk centrifugohet, por del vaji me dekantim.

Një tjetër atraksion i femrës është liqeni artificial. Kompania italiane që ndërtonte autostradën Tiranë-Durrës kishte nevojë për një vend ku të vendoste mjetet e punës, dhe agronom Hajdari ofroi një sipërfaqe trualli të fermës së tij, me kusht që italianët ta ndihmonin me ngritjen e një dige të përshtatshme për liqenin.

Sot liqeni ka pasuruar më shumë biodiversitetin e fermës. Në të kultivon disa lloje peshqish që mund t’i përshtaten ujërave të ëmbla të liqenit, si krap, ballëgjerë, qefull, koc. Në liqen ka ndërtuar mole të vegjël, ku ka dhe varka për të shëtitur vizitorët, të cilët nuk janë të pakët.

Ferma ka 10 vite që është bërë atraksion turistik si për të huajt edhe vendasit. Të hujat preferojnë pranverën dhe vjeshtën. Vitet e fundit më thotë Hajdari kryesojnë turistët danezë dhe gjermanë, të cilët janë të mrekulluar nga natyra dhe ushqimet tona.
“Unë ende nuk e kam çelur mirëfilli këtë fermë për agroturizëm, por nuk iu shmangem dot vizitorëve që vijnë. Si fillim nisën të vinin punonjësit e ambasadave, në këto kushte fare modeste. Pastaj nisën ta njohin dhe vinin edhe të tjerë. Ushqehen këtu dhe blejnë prodhimet tona. Gatuan gruaja. Kur kemi grupe marrim guzhunier. Punojmë me prenotime”- më sqaron Hajdari.

Ferma në mënyrë të natyrshme po kthehet vetë në agriturizëm dhe Hajdari nuk e ndal dot. Ka interes edhe për turistët vendas që vijnë me familjet në fundjavë. Vizitojnë kafshët, bimët dhe ushqehen.

Subvecioni

Hajdari më tregon se ferma në 25 vjet nuk ka marrë asnjë qindarkë subvecion nga shteti. Për të subvecionet e shtetit janë të papërfillshme dhe nuk ia vlen barra qeranë, mundimi dhe koha e harxhuar për dokumente. Nga mungesa e tregut ai e ka ulur punën. Nga 30 punëtorë që kishte për 15 dynym sera, duke shkurtuar ato, ka hequr dhe punëtorët që sot numërohen vetëm 3.

Bujqësia është shumë e vështirë, thotë Hajdari.

Tek e pyes çfarë të mban, më përgjigjet pasioni dhe në fillimet e saj në ’90-ën, bujqësia ecte mirë. “Kam qenë në ato nivele që isha më mirë se dy emigrantë. Kemi jetuar mirë. Kam aplikaur për në Kanada, më dolën dokumentet dhe nuk shkova”- më shpjegon Hajdari.
Por për të, politikat që janë bërë për bujqësinë, për 30 vjet vetëm e kanë shkatërruar sektorin, përveçse nuk i kanë ardhur në ndihmë. Asnjë qeveri thotë ai, nuk i ka kthyer sytë seriozisht nga bujqësia, fermeri.

“Shteti të paktën të mos e luftojë fermerin, ai po e lufton me politikat e veta. Karburantin e paguajmë si ai që shkon në autostradë. Vendet e rajonit subvecionojnë 10-20 fish më shumë se ne. Nëse në Shqipëri jepen 10 mln euro, sot në Kosovë jepen 80-100 mln euro. Maqedonia 150-180 mln euro që kanë sipërfaqje toke më pak se ne dhe nr më të vogël fermerësh. Aktualisht sot nuk është normale që të importohet nga Maqedonia speca dhe rrush. Bëhen politika të tilla që prodhimi vendas të diskriminohet. Sot vjen vera nga jashtë që nuk është verë. Ne kemi vreshta, pse të mos e kthejmë në verë. Kemi vreshta shumë të mira, rrushin cilësor. Dominon prodhimi i importit. Kjo është dashakeqësi”- më shpjegon Hajdari duke shtuar se: “Vera e vendit sanksionohet fort. Ne bëjmë verë për prodhim familjar. Po të kishte kapacitete mundësitë krijohen. Shqiptarët në vreshta dhe ullishte punojnë jashtë; atje u del këtu jo, pse?”

Ai mendon se në 5-vjeçarin e ardhshëm do të ishte mirë të investonte në mjedise shlodhëse, në një kopësht zoologjik, pishinë, dhoma fjetjeje afër pyllit.

“Unë e kam si ide, por me shumë kujdes se mund të dështosh. Prandaj me hapa të ngadaltë. Mirë është të bësh një hap të madh, pse të presësh 20 vite. Në radhë të parë dua ta mbaj si fermë e gardualisht ta kaloj në turizëm”- ëndërron Hajdari duke më shpjeguar se si nisi edhe idea për muzeun ku ne jemi ulur dhe po bisedojmë.

“Kjo ka qenë gërmadhë, është bërë një mjedis i freskët, muze bujqësor. Kam mbledhur vegla pune, pajisje, ka edhe enë të vjetra të para 100 vjetëve të zonave të ndryshme, Tiranë, Kukës, etj.”- vijon ai.

Hajdari do ta pasurojë muzeun duke menduar jo vetëm për të rinjtë, por edhe njerëzit e moshës së tij që siç thotë vetë, nuk i njohin periudhat e historisë dhe veglat bujqësore të përdorura në kohëra të ndryshme, duke më treguar me gisht një paisje druri pas shpinës time e cila është përdorur 100 vite më parë si vaskë për të mbledhur vajin e ullirit në zonën e Tufinës.

Nëna e Hajdar Kuçit

Agronom Hajdari është me nxitim, punëtorët e thërresin, nëna 86-vjeçare që kalon aty pari, e cila edhe ajo kontribuon me punë në fermë e pyet për diçka, telefoni bie dhe ai duhet të largohet…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë