Ngjarje

Në Ditën e Verës, në Tiranë vetëm ballokume Elbasani nuk mund të gjesh

Nga Sorgena Leka - Vetëm disa metra larg nga njëri-tjetri, dy burra rreth të 50-ave ishin të vetmit që po shisnin ballokume në të gjithë shëtitoren e Liqenit Artificial të Tiranës dhe për çudi, me çmime të ndryshme.

Njëri e shiste një ballokume 100 lekë duke thënë deri diku me nerva "njësoj si para një viti", ndoshta i lodhur nga shumë herët që e kishin pyetur gjatë ditës.

"Njerëzit mendojnë dhe janë të bindur se është shtrenjtuar çmimi i ballokumeve dhe të gjithë janë habitur kur kam thënë se janë njësoj si vitin e kaluar. Ndoshta tani mendojnë se do rritet çdo çmim", thotë për Gazetasi.al shitësi.

Qytetarë të ndryshëm pohojnë për Gazetasi.al se kanë pritur rritje të çmimit këtë vit por kjo nuk ka ndodhur.

Ajo që vihet re është se në Tiranë mungonin ballokumet e Elbasanit dhe në çdo tezgë që shiteshin ballokume, ishin shitës nga Përmeti apo Gjirokastra dhe ballokumet i kishin marrë në pikë shumice, të "fabrikuara".

Kjo gjithsesi nuk i ka ndaluar qytetarët të blejnë në sasi ballokumet, edhe pse shumë prej tyre shprehen se “nuk shijojnë njësoj si ballokumet tradicionale”.

Kjo e sotmja duket si një ditë kur njerëzit kanë zgjedhur të harrojnë përfundimisht pandeminë, të harrojnë luftën, duke vijuar ditën si dikur, “kur kishim halle më të vogla se këto që kemi pasur këto vitet e fundit", siç thotë një qytetare e shoqëruar nga një tufë nipërish e mbesash.

Edhe Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një ambient argëtues, me një ekspozitë të madhe nga koleksioni i makinave RETRO së bashku me automjete dhe motorrë të tjerë epoke. Të apasionuarit pas automjeteve kishin mundësinë të shikonin nga afër koleksionin më të madh të makinave historike, makinave sportive dhe motorëve.

Ndërsa Bulevardi “Dëshmorët e kombit” është shndërruar totalisht, me fusha të improvizuara tenisi, basketbolli, pingpongu, taekwondoje, teqball-i dhe minikalçetoje. Kudo kishte hapësira për më të vegjlit, me animatorë, artistë cirku, të Teatrit të Kukullave.

Një vëmendje e veçantë në 14 mars i është kushtuar dhe biznesit dhe panairit të produkteve të zonës. Kështu, hapësira në bulevardin para Piramidës në të dy anët e saj kishte të pozicionuara stenda biznesi që shërbënin për promovimin e produkteve.

Produktet që shiteshin ishin vaj ulliri, gjalp, qilima, rroba dhe çanta artizanale, varëse dhe aksesorë të ndryshëm e nuk kishin si të mungonin edhe veroret të cilat ishin produkti më i lirë në ditën e sotme, vetëm 30 lekë, nga shitës përmetarë, gjirokastritë apo dhe pogradecarë.

Ata shprehen për Gazetasi.al se nuk kanë shitur aq sa prisnin por të paktën janë të lumtur se ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit ka një interes më të madh për të mësuar më shumë për produkte të ndryshme dhe sic nuk kishte ndodhur kurrë, kanë marrë pafund pyetje për produktet nga të gjitha grupmoshat, edhe pse në fund klientët janë larguar me një “faleminderit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë