Ngjarje

Në burgje do të rinisin takimet me familjarët, kushtet dhe rregullat për lejet e veçanta

Nga 14 qershori do të lirohen masat e vendosura për shkak të pandemisë Covid 19 për të burgosurit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj njoftoi se nga kjo datë, do të rinisin takimet me familjarët, aktivitetet dhe dhënia e lejeve të veçanta.

Megjithatë, për të dënuarit, do të lejohet vetëm një takim në muaj, me kusht që familjarët duhet të jenë të vaksinuar ose të kenë një test negativ për COVID-19 ose një vërtetim që e kanë kaluar virusin më herët.

Sa i takon të dënuarve në moshë të mitur, është parashikuar të lejohen deri në katër takime në muaj, me të njëjtat kushte sigurie.

Ministrja Gjonaj theksoi se do të fillojë edhe dhënia e lejeve të veçanta për raste mortore, sipas parashikimeve ligjore. Gjonaj deklaroi se rinisja e aktiviteteve në burgje do të bëhet me respektimin e masave anti-Covid.

Gjonaj u shpreh se deri më tani në burgje janë vaksinuar 2.721 persona. Vendimi për lirimin e masave, vjen pas vlerësimeve të bëra nga Avokati i Popullit, duke ndjekur edhe masat që kanë ndërmarrë vende të tjera europiane.

Gjatë fjalës së saj, Gjonaj tha se shtatë punonjës të polisë kanë humbur jetën gjatë pandemisë për shkak të koronavirusit.

Që prej nisjes së pandemisë vitin e shkuar, u pezulluan të gjitha takimet e të burgosurve me familjarët, ndonëse u mundësua komunikimi online mes tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë