Ngjarje

Në Brazil shkrumbohen mijëra vite histori

Mijëra vite histori u shkrumbuan brenda pak orëve. Ndoshta jo në përmasat e bibliotekës së famshme të Aleksandrisë në lashtësi, por djegia e Muzeut të Rio de Janeiros në Brazil është një humbje e madhe në fushën e arkeologjisë, historisë, literaturës dhe gjithë shkencave.

Muzeu përmbante mbi 20 milionë objekte dhe dokumenta, përfshirë këtu edhe mbetjet skeletore të njeriut më të vjetër të gjetur në Amerikën Latine. Në momentin që mbërritën zjarrfikësit, flakët kishin pushtuar thuajse të gjithë godinën e Muzeut, që këtë vit festonte 200-vjetorin e themelimit të tij.

Zjarri ka shpërthyer pasditen e së dielës, pasi godina ishte mbyllur për vizitorët. Fatmirësisht për momentin nuk raportohen të lënduar, ndërkohë që autoritetet e kanë të pamundur që të japin shkakun e zjarrit në këto momente.

Presidenti brazilian, Michel Temer reagoi përmes rrjeteve sociale. “Është një ditë e trishtë për të gjithë brazilianët. 200 vite punë, shkencë dhe dije u humbën”, tha ai.

Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikëses të Rio de Janeiro tha për agjencinë e lajmeve AFP se sistemi antizjarr nuk ka funksionuar dhe se autobotet e tyre janë detyruar që të mbushin ujë në një liqen aty afër.

Flakët si simbol i krizës braziliane

Nuk u dogj vetëm historia e Brazilit. Shumë i shohin flakët si një metaforë e asaj që po ndodh në qytetin e Rios dhe në gjithë vendin e Amerikës Latine.

Rio De Janeiro është veçanërisht në krizë. Ka rritje të dhunës. Rënia e vazhdueshme ekonomike dhe korrupsioni politika të kombinuara e kanë shndërruar qytetin që dikur shkëlqente në një hije të vetvetes. Kanë kaluar vetëm 2 vite nga lojërat olimpike të zhvilluara në këtë qytet. Shumica e brazilianëve fajësojnë pikërisht këto lojëra dhe shpenzimet marramendëse që u kryen për organizimin e tyre për përkeqësimin e gjendjes së tyre ekonomike.

Panorama e zymtë është reflektuar fort edhe në atë që deri këtë vit interpretohej si fusha e vetme që nuk njihte humbje për Rio de Janeiron, turizmin. Numri i turistëve ra ndjeshëm dhe agjentët turistikë ndërkombëtarë fajësojnë për këtë pasigurinë në rritje dhe dhunën e rëndomtë edhe në lagjet që dikur konsideroheshin si të sigurta të qytetit brazilian.

Pasoja e gjithë keqmenaxhimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes interpretohet edhe djegia e Muzeut. Brazilianët, të paktën ajo shtresë që interesohej dhe ja dinte vlerën kësaj pasurie prej vitesh kanë akuzuar qeveritë qendrore dhe vendore se e kanë injoruar dhe neglizhuar financimin e kësaj pasuri, tashmë pothuajse të zhdukur.

Çfarë përmbante Muzeu?

Mes 20 milionë objekteve, në përbërje të tij kishte artefakte arkeologjike, mbetje fosile dhe meteoritin më të madh të zbuluar ndonjëherë në vend.

Në pjesën natyrore të Muzeut ndodhej një koleksion me kocka dinosaurësh dhe skeleti i një gruaje, të njohur si Luzia, që daton 12 mijë vite më parë. Që të gjitha këto mendohet se janë shkatërruar nga flakët.

https://twitter.com/JustinFleenor/status/1036415611151282177

Në këtë ndërtesë ruhej edhe historia e vendit që nga nisja e kolonizimit portugez, në vitet 1500 e deri tek deklarata e pavarësisë në vitin 1889. Po ashtu, muzeu strehonte një arkivë të pasur me objekte, dëshmi e detaje nga komunitetet indigjene të Brazilit.

Ndërtesa ka shërbyer gjithashtu si vendstrehim i familjes mbretërore portugeze në vitin 1808, në kohën kur vetë Portugalia po përballej me kërcënimin e një pushtimi nga Napoleon Bonaparti.

Si u reagua?

Marcelo Moreira, gazetar në televizioni Globo në Brazil e cilësoi djegien e muzeut në një intervistë për BBC, si humbjen më të madhe në historinë e vendit.

Drejtori i Muzeut e quajti një “tragjedi kulturore”, ndërsa punonjës të rangjeve më të ulta thanë se prej vitesh institucioni i tyre ka patur vështirësi të jashtëzakonshme për të siguruar fonde për mirëmbajtje.

Sipas dëshmive dhe deklaratave publike të vetë drejtuesve dhe punonjësve të muzeut, dyshemetë dhe një pjesë e mirë e mureve të ndërtesës ishin veshur me dru dhe materiale të tjera që digjen shpejt.

Muzeu u hap në vitin 1818, kur Brazili ishte ende pjesë e Portugalisë. Në atë kohë, hapja e tij u interpretua si një nismë e mbretërisë për të promovuar punën shkencore duke bërë publike për specialistët e fushave të ndryshme gjetjet interesante përgjatë historisë.

Burimi: BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë