Ka ndodhur

Në akuzë për disa përdhunime në Greqi, 45-vjeçari nga Vlora dyshohet se ndodhet në Shqipëri

Gazeta Si - Një 45-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se është arratisur në Shqipëri, është shpallur në kërkim nga policia greke si person i dyshuar për përdhunimin e një gruaje në Paleo Faliro dhe sulmin ndaj një tjetre.

Sipas mediave greke, shqiptari nën akuzë për përdhunim dhe tentativë për përdhunim ka një dosje të pastër penale.

Mësohet se është vërtetuar shkencërisht se Spartak Dyrmishi është autor i dy përdhunimeve, nga tre që akuzohej. Këtë fakt e zbuloi AND-ja e kryer nga rrobat e viktimave. Sipas informacioneve, 45-vjeçari kishte probleme me alkoolin.

I ndarë para pak kohësh nga bashkëshortja, ai është baba i dy fëmijëve të vegjël, vajzë dhe djalë.

Rasti i fundit i përdhunimit ishte një javë më parë, ku sipas denoncimit të njërës prej viktimave, shtetasi shqiptar tashmë i identifikuar e përdhunoi në stacionin e tramvajit në lagjen “Faliro” në një prej zonave më turistike të kryeqytetit.

Ndërsa vetëm një ditë më pas, i njëjti person tentoi të përdhunonte një grua tjetër, e cila pasi mundi të gjejë një lokal dhe të ndalojë makinën, u largua me vrap duke kërkuar ndihmë.

Autori i dyshuar është nga Vlora dhe ka kaluar për në Shqipëri në datën 27 tetor, në orën 1:00. Agjentë të armatosur kryen kontroll në banesën e tij, por nuk mundën ta gjejnë.

Sipas informacioneve, atë e kanë lokalizuar dhe tani po zhvillohet operacioni për kapjen në Vlorë. Dyshohet se ai  është larguar për në Shqipëri pak orë përpara se të shpallej në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë