Drejtësia

Në 3 vjet, rreth 70 drejtues e policë të arrestuar për lidhje me krimin. Dumani: Operacioni ‘Revanshi’ nuk u dekonspirua

Gazeta Si - Altin Dumani e ka cilësuar si “ulëritëse” bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit me anëtarë të grupeve kriminale.

Kreu i SPAK u pyet nga deputetët e Kuvendit nëse është dekonspiruar operacioni i fundit kundër grupeve kriminale "Revanshi", u prenë 50 urdhër-arreste. Ai tha se në dijeninë e tij, mega-operacioni nuk është dekonspiruar. “Në dijeninë time nuk kam asnjë indicie që operacioni të jetë dekonspiruar”.

Përpos kësaj deklarate, ai u shpreh i shqetësuar për këtë fenomen, pasi hetimet kanë nxjerrë se që nga viti 2020, deri në vitin 2023, SPAK ka arrestuar rreth 70 drejtues të lartë për bashkëpunimin me krimin.

“Unë kam pasur në konsideratë kur bëra deklaratën, rezultatin e hetimeve të kryera nga SPAK nga viti 2020 deri në 2023 lidhur me subjekte punonjës të Policisë së Shtetit të proceduar penalisht dhe më rezulton janë proceduar penalisht rreth 70 punonjës policie nga SPAK. Dhe siç është bërë publike dhe nuk mund ta fsheh, na kanë rezultuar drejtues të lartë të policisë lidhur me krimin e organizuar. Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunues me krimin e organizuar në krimet që krimi i organizuar kryhen”.

Sipas tij, janë të përfshirë ish-drejtori i Forcës Operacionale, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh dhe “nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit, bashkëpunojmë përditë”, u shpreh drejtuesi i SPAK Altin Dumani duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Duke raportuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe Sigurisë për raportin vjetor të SPAK, Dumani vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, por theksoi se ka një pakicë të inkriminuar brenda tyre.

“Duhet ta them, është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes shumicës absolute të Policisë së Shtetit të cilët janë të dedikuar me mish e me shpirt janë të angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua të distancoj këtë pjesë nga një pakicë e inkriminuar. Në shumë nga hetimet tona të suksesshme një rol të suksesshëm ka luajtur Policia e Shtetit. Por në shumë nga hetimet tona janë evidentuar lidhje të krimit të organizuar me funksionarë të korruptuar të Policisë së Shtetit”.

Vetëm në operacionin e fundit “Revanshi”, gjatë goditjes së disa grupeve kriminale në vend, u shpallën në kërkim 4 zyrtarë policisë si bshkëpunëtorë, dy prej tyre në nivele drejtuese në Policinë e Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë