Ngjarje

Në 2024 nuk do të ketë dyfishim të biletës së autobuzit

Nga Gazeta Si- Kërcënimi se bileta e transportit publik do të dyfishohet nuk do të dëgjohet më në 2024-n. Prej kohësh, përfaqësuesit e linjave urbane kishin paralajmëruar rritje të çmimit nga 40 në 80 lekë, pasi ishin në situatë të rënduar dhe Bashkia Tiranë nuk po i ndihmonte.

Por kjo rritje nuk do të vijë as vitin që vjen, konfirmon për Gazetasi.al Dashnor Memaj, Kreu i shoqatës së transportit urban.

“99 për qind nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave”, tha Memaj, duke shtuar se janë ende në pritje të vendimit të Bashkisë Tiranë për subvencionim.

Dyfishimi i çmimit të biletës së autobusit u kërkua për shkak të situatës së rënduar financiare nga shtimi i kostove dhe rënia e të ardhurave nga ulja e numrit të pasagjereve.

Kostandin Foni kryetari i unionit të shoqatës ka thënë për mediat se dhënia e subvencionimit nga bashkia e Tiranës bëhet me qëllim mbulimin e të ardhurave të munguara nga dyfishimi i çmimit të biletës, duke shtuar se sektori aktualisht e ka të pamundur të mbijetojë në këtë situatë, me rritje të shpenzimeve nga çmimi i naftës që ende mbetet i lartë, rritja e pagave të punonjësve dhe me rënie të ardhurave nga ulja e numrit të pasagjerëve.

Masa e subvencionimit për operator parashikohet të jetë në varësi të llogaritjeve që do të bëhen bazuar te shpenzimet, kostot e operatorit, iteneraret e linjave dhe numrit të pasagjerëve.

Ndër faktorët që ndikuan vjet në shtimin e kostove ishte shtrenjtimi i lartë i çmimit të naftës.

Në një prononcim për Gazetasi.al në gusht të këtij viti, Konstandin Foni tha se që prej nisjes së pandemisë, ky sektor ka hasur vështirësi duke u thelluar me krizën e çmimeve si pasojë e konfliktit Ukrainë-Rusi.

“Operatorët urbanë janë në krizë. Rritja e çmimit të karburantit ka prekur financat e kompanive të cilët kanë kërkuar vazhdimisht të subvencionohen nga shteti. Ne kemi parashtruar disa kërkesa siç janë: heqja e akcizës së karburantit, heqja e taksës së qarkullimit ose në të kundërt kemi kërkuar rritje dyfish të çmimit të biletës", thotë drejtuesi i unionit të transportit publik Konstandin Foni.

Memaj ndërkohë shprehet se janë në pritje të një përgjigje pozitive për subvencionim, cka i ka bërë të marrin vendimin se nuk do të ketë rritje të biletës për vitin që po vjen.

Aktualisht numri i pasagjerëve është 35% më pak se periudha para pandemisë së Covid-19.

Që pas pandemisë së Covid-19 sektori urban është mbështetur me 2 paketa antikrizë. Paketa e parë u zbatua për shkak të krizës nga pandemia. Vjet u zbatua edhe paketa e dytë në ndihmë të sektorit me rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor, pas shtrenjtimit të çmimit të lartë të naftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë