Teknologji dhe Inovacion

Në 2020 e përdorëm më shumë internetin për informacione shëndetësore dhe blerje online

Sipas të dhënave të Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë vitit 2020, 72.2% e popullsisë nga mosha 16-74 vjeç kanë përdorur internetin, nga të cilët 88,2 % e kanë përdorur atë çdo ditë.

98.8% e individëve nga kjo grupmoshë kanë përdorur aparat celularë/ telefona inteligjent për të hyrë në internet, 24.4% e tyre e përdorin internetin nëpërmjet laptopit dhe 7.2% nëpërmjet tabletit.

Pandemia ka rritur përqindjen e familjeve shqiptare që kanë akses në internet.

Në 2019, 82.2% e familjeve kishin akses ndërsa gjatë 2020 kanë patur akses 83.3% e tyre.

Individët e moshës 16-74 vjeç që kanë përdorur internetin kanë kryer si aktivitet kryesor kërkimin e informacionit lidhur me shëndetin (8,7%)  video thirrjet (3,9%) dhe komunikimi me mesazhe të shkruara (3,6%).

Blerjet online në internet janë kryer nga 19,5 %, tregues i cili ka shënuar një rritje prej 9,4%, krahasuar me vitin 2019.

Produktet dhe shërbimet që zënë peshën më të madhe janë rroba / këpucë / aksesorë që zënë rreth 84,8 %.

Gjithashtu rritje më të lartë në vitin 2020 kanë shënuar blerjet  online për “ushqime / pije nga dyqanet apo ofruesit” me 16,6 pikë përqindje ndjekur nga blerje për “ilaçe / suplemente apo vitamina” me rreth 9,2 pikë përqindje.

Shpeshtësia e përdorimit të internetit sipas ndarjes gjinore, tregon se përdorimi i internetit “çdo ditë / pothuajse çdo ditë” dominohet nga burrat me 51,1 %, ndërsa përdorimi i tij “të paktën një herë në javë” dominohet nga gratë me 53,8 %.

Gratë kanë kryer më shumë blerje për “produkte shtëpiake” dhe “produkte për kujdes personale” ndërsa burrat kanë shfaqur preferenca më shumë në blerjet për: “të mira dhe mallra sportive” dhe “shërbimet e ushqimit nga restorante.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë