Nga Gazeta ‘SI’ – Raporti i të rinjve dhe të moshuarve në Shqipëri po bëhet më i thellë, me këta të fundit në përparësi. Eurostat tregon se në 10 vitet e fundit, popullsia e moshuar në Shqipëri është shtuar me rreth 5%, ndërsa ajo e re është ulur me 1%.
Një analizë e Eurostat, tregon se raporti i varësisë së të moshuarve në Shqipëri është 24.4% në 2023-shin. Ky raport shpreh në përqindje personat mbi moshën e punës +65 vjeç me të rinjtë 15-64 vjeç. Në vitin 2002 norma e varësisë ishte 12.3% dhe në 20 vite treguesi është dyfishuar.
Të dhënat tregojnë se mosha mediane në Shqipëri nga 2013-a në 2023-shin është rritur me 3 vite, duke shkuar në 38.5 vjeç.
Ky raport prek në mënyrë direkte skemën e pensioneve. Nëse në skemë ka më shumë pensionistë se sa të punësuar, ajo shkon në një deficit, siç ka qenë vitet e fundit në Shqipëri dhe është krijuar nevoja e financimit të shtetit. Kjo mund të sjellë dhe një rritje të moshës së pensionit.
Në afatgjatë, një raport ku mbizotëron mosha e pensionit tregon një panoramë të zymtë për të ardhmen demografike të vendit dhe tregut të punës.
Eurostat tregon se e gjithë Europa po vuan nga plakja dhe mungesa e të rinjve, si efekt i rritjes së jetëgjatësisë dhe uljes së fertilitetit. Piramida e popullsisë është shndërruar në një romb dhe shumë shpejtë, ajo mund të jetë vetëm një trekëndësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.