Nga Gazeta Si- Ashtu siç ishte paralajmëruar pas skandalit të Onkologjikut, qeveria ka ndryshuar ligjin e Urdhrit të mjekut. Me ndryshimet e reja, drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe drejtojnë klinika private.
“Drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe klinika private e t’i drejtojnë ato klinika private. E kanë të ndaluar të jenë titullarë njëkohësisht dhe në strukturat spitalore shtetërore dhe në strukturat e tyre private”, tha Koçiu.
Ndryshimet që u miratuan sot, kryesisht konsistojnë në bërjen publike e të dhënave për të gjithë profesionistët sa i përket angazhimeve të tyre private. Sipas Koçiut, kjo do të garantojë transparencë.
“Ndërkohë që ndryshim tjetër i rëndësishëm është pikërisht dhe miratimi i një regjistri publik i cili do të garantojë akoma më shumë transparencë për këdo profesionistë të shëndetësisë që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij dhe privatisht”, tha Koçiu.
Nga ana tjetër është vendosur edhe një tavan i orëve të punës për të cilat një mjek që punon në sektorin publik mund të angazhohet dhe të punojë privatisht.
Ndërkohë janë bërë të qarta dhe procedurat për masat disiplinore dhe strukturat përkatëse të cilat do të rregullojnë veprimtarinë akoma më shumë të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë që punojnë në sektorin publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.