Shendet

Ndryshimi i ligjit, mjekëve s’do u lejohen dy profesione njëkohësisht

Në një kohë kur Shqipëria “vuan” për mjek dhe sallat e urgjencës të mbushura plot me pacientë kanë mungesë të specialistëve, nga qeveria na vjen një ndryshim i ligjit që nuk lejon dypunësimin e tyre.
Në ndryshimet e ligjit nr. 10107, të datës 30.3.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, thuhet se mjekët nuk mund të punojnë në dy vende njëkohësisht, kjo për shkak se shumë herë është ngritur shqetësimi se mjekët mungojnë në vendet e punës.

Por Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se, një nga nenet e propozuara në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor, nuk ka të bëjë me ndalimin e dypunësimit të mjekëve, por me ndalimin e ushtrimit të dy profesioneve të ndryshme në të njëjtën kohë.

"Ndryshimi i propozuar lidhet me faktin se, kur një profesionist shëndetësor ka dy profesione, psh. stomatolog dhe farmacist, pra ka dy diploma, ai duhet të zgjedhë cilin profesion do të ushtrojë dhe ndërkohë duhet të pezullojë licensën tjetër.
Ky ndryshim i propozuar është në përgjigje të shqetësimit të ardhur nga urdhërat profesionistë, pasi ushtrimi njëkohësisht i dy profesioneve shpesh ishte fiktiv", thhet në reagimin e Ministrisë.

Gjithashtu, një tjetër ndryshim është certifikimi i trupave shëndetësore dhe pranimi i tyre në bazë të parimit të meritës, konkurrimit dhe transparencës së hapur. Ndër të tjera Ministria e Shëndetësisë do të krijojë, edhe një program të detyrueshëm për edukimin e vazhdueshëm profesional, për të përditësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre, në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Ndërsa ndryshime të tjera përcaktojnë se:

  1. Profesionistët e shëndetësisë pranohen në institucionet e kujdesit shëndetësor publik bazuar në kriteret dhe procedurat e konkurrimit, të përcaktuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
  2. Profesionistët e shëndetësisë, anëtarë të Urdhrit të Infermierit, të cilët e ushtrojnë profesionin e tyre në institucionet e kujdesit shëndetësor publik,emërohen sipas renditjes në portalin “Infermier për Shqipërinë”. Procedurat e rekrutimit dhe të emërimit nëpërmjet portalit “Infermier për Shqipërinë”, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe kryhen nga institucioni përgjegjës për këtë qëllim.
  3. Drejtuesit e institucioneve të kujdesit shëndetësor publik emërohen nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, sipas procedurës së përcaktuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Drejtuesi i emëruar i institucionit të kujdesit shëndetësor është i detyruar të kryejë trajnimin e detyrueshëm për drejtim dhe administrim të institucionit të kujdesit shëndetësor nga institucioni përkatës, i ngarkuar për këtë qëllim nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
    Neni 18, përcakton ndryshimin e nenit 33, Edukimi i vazhdueshëm profesional, si më poshtë vijon:
  4. Profesionistit të shëndetësisë, që nuk përmbush kriteret e programit të certifikimit, i pezullohet/ndërpritet kontrata me institucionin shëndetësor dhe nuk i rinovohet leja e ushtrimit të profesionit nga urdhri profesional përkatës. Rifitimi i lejes së ushtrimit të profesionit bëhet vetëm pasi profesionisti i nënshtrohet provimit të certifikimit.
  5. Provimi i certifikimit zhvillohet nga komisionet e provimit të certifikimit, të ngritura pranë fakulteteve përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Rregullorja për organizimin e provimit të certifikimit miratohet nga Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm. Tarifat e provimit të certifikimit janë të njëjta me ato të provimit të shtetit dhe të ardhurat nga provimet e certifikimit u kalojnë fakulteteve përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
  6. Institucionet e kujdesit shëndetësor duhet të lehtësojnë edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të tyre. Ato janë të detyruara të hartojnë dhe të zbatojnë programe të akredituara të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e tyre.
  7. Në rast se profesionistët e punësuar në institucionet publike të kujdesit shëndetësor nuk përmbushin kërkesat e programit të certifikimit, për drejtuesit e tyre merren masa disiplinore deri në lirim nga detyra.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë