Shendet

Ndryshimi i klimës ndikon negativisht në sezonin e alergjisë

Teshtini gjatë gjithë kohës dhe sytë tuaj janë të skuqur? Ajri rreth jush është i ndotur dhe shpesh herë ju duket sikur nuk do të gjeni qetësi? Jeni zyrtarisht në periudhën e alergjisë, të cilën ndryshimi i klimës po e bën edhe më të vështirë për alergjikët.

Sipas Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të sëmundjeve në SHBA, rreth 20 milionë njerëz përreth botës vuajnë nga alergjia e polenit dhe pluhurit dhe numri i të prekurve nga alergjia po shtohet dita-ditës. Astma është sëmundja e cila përkeqësohet më shumë nëse ekspozohet ndaj polenit të luleve. Ekspertët mendojnë se në shtimin e rasteve të astmatikëve, ndikojnë edhe ndryshimet klimaterike. Ata shprehen se temperaturat e ngrohta rrisin nivelin e polenit në ajër.
Fondacioni i Astmës dhe Alergjisë në Amerika ka kryer një hulumtim që tregon se, sa më shumë ditë të ngrohta të kemi aq më shumë do të vuajnë astmatikët. Gjatë temperaturave të larta bimët do të fillojnë të thahen, duke lëshuar edhe më shumë polen në ajër.

“Tashmë i shikojmë makinat e mbushura me polen që në muajin mars, ndërkohë që më parë periudha e alergjisë fillonte në fund të prillit. Ne dëgjojmë nga njerëzit që periudha alergjisë tashmë është zgjatur që prej kohës kur ata kanë qenë më të vegjël", shprehet Angel Waldron, drejtori i fondacionit.
Nëse ngrohja vazhdon me ritmin e saj aktual, deri në fund të shekullit, periudha e alergjisë do të jetë e gjatë për më shumë se dy muaj në shumicën e vendeve. Gjithashtu, edhe studimet në Departamentin Amerikan të Bujqësisë kanë treguar se përqindja e lartë dioksidit të karbonit në ajër bën që poleni i bimëve të jetë më i fortë, duke shtuar personat që vuajnë nga alergjia.
Sipas Waldron ka disa rregulla të caktuara që duhet të ndiqni në mënyrë që të mos e vuani shumë sezonin e alergjisë.
Përpos medikamenteve që mund t’i gjeni në farmaci, në bazë të këshillave mjekësore, ai sugjeron që pjesën më të madhe të kohës ta kaloni në shtëpi në mënyrë që të shmangni polenin dhe pluhurin.
“Lani rrobat me ujë të ftohtë dhe jo të nxehtë ndërkohë që ktheheni në shtëpi, merrni transport publik dhe përpiquni të qëndroni të fortë sepse dimri është edhe pesë muaj larg,” shprehet Waldron. /CCN/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë